Mes thirrjeve kundër qeverisë dhe establishmentit politik, protesta e ditës së 12-të solli histori të dhimbshme emigracioni, varfërie dhe sakrificash. Qytetarët folën për familje të ndara, nëna që presin fëmijët nga emigracioni dhe një shtet që, sipas tyre, i ka lënë vetëm.
Mes mijëra protestuesve të mbledhur para Kryeministrisë, nuk ishin vetëm pankartat kundër qeverisë ato që tërhoqën vëmendjen. Disa nga momentet më prekëse të protestës erdhën nga rrëfimet personale të qytetarëve, të cilët treguan plagët që emigracioni, varfëria dhe mungesa e shpresës kanë lënë në familjet shqiptare.
Një nga pankartat që u komentua më shumë gjatë tubimit mbahej nga një grua e moshuar. Mesazhi i saj ishte i shkurtër, por i dhimbshëm.
“Emigracioni ma mori familjen, po më merr edhe nipërit. Kthehuni, nëna ju pret”, shkruhej në pankartë.
Mesazhi u përmend edhe nga folësit në protestë, si simbol i dramës që prej vitesh po përjetojnë mijëra familje shqiptare, ku fëmijët dhe nipërit largohen drejt vendeve të huaja, ndërsa prindërit dhe gjyshërit mbeten pas duke pritur.
Një tjetër moment i fortë erdhi nga një vajzë e re, e cila rrëfeu historinë e saj personale dhe të familjes, duke e lidhur atë me realitetin që sipas saj po i detyron shqiptarët të largohen nga vendi.
“Jam rritur jetime, pa babain. Më rriti nëna. Politikanët nuk e dinë çfarë do të thotë të flesh me barkun bosh. Na keni vjedhur ëndrrat, jetën, prindërit. Ky popull meriton të jetojë me dinjitet në tokën e vet. Meriton të përfaqësohet nga burra dhe gra të ndershëm”, tha ajo mes duartrokitjeve të protestuesve.
Më pas, ajo iu drejtua drejtpërdrejt klasës politike, duke akuzuar drejtuesit e vendit se kanë detyruar breza të tërë të largohen.
“Ne jemi këtu për çdo nënë që vdiq me sytë nga dera. Betohem para Zotit që nuk ka më heshtje dhe gjunjëzim. Shqipëria dhe e ardhmja është e jona. Ne u ngopëm me varfëri, ju do ngopeni me drejtësi”, deklaroi protestuesja.
Por një nga dëshmitë më tronditëse erdhi nga një grua tjetër, e cila tregoi kalvarin e familjes së saj në përpjekje për të shpëtuar jetën e të atit.
Ajo rrëfeu se prej 17 vitesh të ardhurat e saj dhe të vëllait janë shpenzuar pothuajse të gjitha për trajtime mjekësore, ndërsa babai i saj ka kaluar dhjetëra operacione dhe ka humbur të dyja këmbët.
“Unë kam 17 vite që punoj dhe të gjitha shpenzimet tona, të miat dhe vëllait tim, kanë shkuar për fatura spitalesh. Babai im është operuar mbi 26 herë. Në momentin që flasim ai ka humbur të dyja këmbët. Shteti vetëm një operacion të tij ka pranuar dhe për të gjitha të tjerat thonë që nuk mund t’i bëjmë, nuk kemi mjetet”, tha ajo.
Sipas protestueses, familja u detyrua ta dërgonte të atin për kurim në Turqi, por ndërhyrja përfundoi me komplikacione të rënda.
“I fundit ishte që ne na u desh të shkonim në Turqi. Ata bënë një gabim dhe ai pësoi trombozë në avion. Pasi u kthyem këtu, as drejtësia jonë nuk lejonte që unë të bëja denoncim për spitalin në Turqi, sepse spitali në Turqi qenka i lidhur me Erdoganin”, deklaroi ajo.
Në fund të fjalës së saj, protestuesja bëri thirrje që qytetarët të mos qëndrojnë indiferentë.
“Doja të flisja për këtë histori, për të thënë që ne duhet të çohemi, pavarësisht se jemi një brez që sot s’kemi asgjë në vijë”, u shpreh ajo.
Në një protestë që prej 12 ditësh po sfidon jo vetëm qeverinë, por gjithë klasën politike shqiptare, historitë personale të qytetarëve po kthehen gjithnjë e më shumë në simbolin e një pakënaqësie të akumuluar prej vitesh. Përtej pankartave dhe sloganeve politike, në shesh po dëgjohen rrëfime për familje të ndara nga emigracioni, për sëmundje që kanë shkatërruar jetët e njerëzve dhe për një brez që thotë se nuk ka më asgjë për të humbur.
Lini një Përgjigje