"Ja ku e ke firmën, Edi Rama", protestuesja tregon si ju grabit prona dhe ju dha oligarkut të qeverisë
Protesta para Kryeministrisë po ia nxjerr të palarat Edi Ramës. Qytetarët kanë dalë sot, në ditën e 38-të, në protestë për horrllëqet e kësaj qeverie. Dhe dëshmitë nga ai shesh janë prova më e gjallë se si Edi Rama e ka dorëzuar shtetin në duart e 2-3 oligarkëve.
Sot në protestë e ka marrë fjalën një e moshuar, e cila ka denoncuar me fakte se si Edi Rama pronën e saj ia ka dhënë Gjergj Lucës me 1 euro. Bëhet fjalë për një pronë në ish-Fabrikën e Sheqerit në Maliq, aty ku Luca ka hapur restorant peshku.
"Edi Rama, ti je këlyshi i Enver Hoxhës, je nipi i Spiro Kolekës. Ti nuk ke mëshirë për popullin. Ti nuk ke mëshirë për fëmijët. Pronën time që kam në Maliq të Korçës, me dokumente të sakta, me Komisionin e Kthimit të Pronave, që i kam nxjerrë nga Arkivi i Shtetit, Edi Rama ia jep Gjergj Lucës. Ja ku është firma jote, Edi Rama. Ia ke dhënë Gjergj Lucës tokën time, që ma ka lënë gjyshi te ish-Kombinati i Sheqerit. Atje ka bërë fabrikë peshku Gjergj Luca. Ja, Edi Rama, ku e ke VKM-në. Pse e jep me 1 euro pronën time private? Ja kush je ti. Je një njeri i pafytyrë dhe duhet të ikësh që të shpëtojnë fëmijët e Shqipërisë, të shpëtojë populli shqiptar", deklaroi e moshuara.
Deklarata e saj u prit me duartrokitje nga protestuesit e mbledhur para Kryeministrisë, ku prej 38 ditësh qytetarët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshim të klasës politike.
Faktet tregojnë qartë se Gjergj Luca ka marrë nga Edi Rama, në formë klienteliste dhe korruptive, qindra mijëra m² prona publike, mijëra m² ndërtesa dhe miliona euro para publike.
Në vitet e fundit, Gjergj Luca ka marrë mbi 2 milionë euro nga buxheti i shtetit përmes kompanisë "Rozafa", si pagesa nga Dogana e Lezhës për dhënie ambientesh me qira, pagesa nga institucionet publike për dreka e darka te menca që Luca ka ngritur mbi pronën publike etj.
Me vendimin nr. 1525/4, datë 23 maj 2019, të ish-drejtoreshës së AZHBR-së, Frida Krifca, Gjergj Luca ka përfituar, përmes firmës "Rozafa" sh.p.k., 400 milionë lekë nga fondet bujqësore të BE-së për bujqësinë.
Me VKM nr. 873, datë 30.10.2015, Gjergj Luca është përfitues i pasurisë "Objekte të Agjencisë së Rezervave të Shtetit, Labinot, Elbasan", në administrim të Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave të Shtetit, me sipërfaqe të përgjithshme 52 613 m², nga të cilat sipas genplanit, përkatësisht, sipërfaqe nën objekt 13 872.94 m² dhe sipërfaqe funksionale 38 740.06 m².
Me VKM nr. 266, datë 29.03.2017, Gjergj Luca është përfitues i pasurisë "Objekte dhe truall, të Agjencisë së Rezervave Materiale të Shtetit, Labinot, Elbasan (pjesa e mbetur)", në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave të Shtetit, Drejtorisë Rajonale të Rezervave të Shtetit Elbasan, me sipërfaqe të përgjithshme 52 514 m², nga e cila 11 659.63 m² sipërfaqe objektesh dhe 40 854.37 m² sipërfaqe funksionale.
Me VKM nr. 526, datë 25.07.2019, Gjergj Luca është përfitues i pasurisë nr. 338, me emërtim "Ish-Reparti Ushtarak nr. 5012/20", me vendndodhje në Çekrez, Gramsh, me sipërfaqe të përgjithshme 28 960 m², nga ku sipërfaqe ndërtimore 4 185.48 m² dhe sipërfaqe funksionale 24 774.52 m², me nr. pasurie 257/1, ZK 2167, në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes, për një periudhë 20-vjeçare.
Me VKM nr. 701, datë 30.10.2019, Gjergj Luca është përfitues i pasurisë "Sektori Autopark, ish-Parku i Minierës së Hekur-Nikelit, Përrenjas", me sipërfaqe të përgjithshme 10 287.3 m², nga ku sipërfaqe ndërtimore 1 090.5 m² dhe sipërfaqe funksionale 9 196.8 m², me numër pasurie 4/240, zona kadastrale 2924, në përgjegjësi administrimi të Ndërmarrjes Industriale nr. 1, Tiranë, për një periudhë 20-vjeçare.
Me VKM nr. 394, datë 09.06.2022, Gjergj Luca është përfitues i pasurive të "Kombinatit të Sheqerit" sh.a., Maliq, të llojit ndërtesë, me nr. 1/250, me sipërfaqe 1 165.5 m²; me nr. 1/231, me sipërfaqe 1 410 m²; me nr. 1/248, me sipërfaqe 290.6 m²; dhe me nr. 1/237, me sipërfaqe 2 025 m², në zonën kadastrale 2573, për një periudhë 20-vjeçare.
Me VKM nr. 376, datë 21.06.2023, Gjergj Luca është përfitues i pasurisë nr. 338, me emërtimin "Ish-Reparti Ushtarak nr. 5012/20", me vendndodhje në Çekrez, Gramsh, në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes, dhënë me qira me tarifën 1 euro shoqërisë "Rozafa" sh.p.k. /Pamfleti
Lini një Përgjigje