
Protestat kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë vijuan edhe këtë mbrëmje, duke hyrë në ditën e 38-të radhazi. Qytetarë të shumtë u mblodhën përpara godinës së Kryeministrisë në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", ku nisën fjalimet e protestuesve dhe aktivistëve.
Gjatë fjalës së saj, protestuesja Luçana Kokaj u bëri thirrje pjesëmarrësve të ruajnë unitetin dhe të mos lejojnë përçarjet, duke theksuar se qëllimi i përbashkët duhet të mbetet mbi çdo dallim.
"Kam një mesazh për ata që mbështesin protestën, të qëndrojmë të bashkuar përtej ndasive të vogla që mund të kemi. Secili mund të ketë ndonjë difekt, ndaj ju bëj thirrje të gjithëve të qëndrojmë të bashkuar dhe të vijojmë protestën", u shpreh ajo.
Kokaj shprehu gjithashtu mirënjohjen për personat që kontribuojnë në përhapjen e mesazheve të protestës, ndërsa u kërkoi mbështetësve të shmangin akuzat dhe komentet e pabazuara.
"Patjetër jam shumë falenderuese dhe besoj të gjithë bashkë jemi falenderues ndaj atyre që bëjnë një punë fantastike duke shpërndarë protestën, por mos përgojoni njerëz pa ditur të vërtetën", shtoi aktivistja.
Në përfundim të fjalës së saj, ajo përsëriti kërkesat e protestës, duke bërë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit dhe ndëshkimin e përgjegjësve.
"Çdo ditë e më shumë deri në arritjen e qëllimit tonë, Rama jep dorëheqjen! Rama në burg, Berisha në burg!", tha gjithashtu Kokaj.
Protestuesit theksuan se do të vijojnë tubimet e përditshme deri në realizimin e kërkesave të tyre.
Ka nisur protesta e 38-të para godinës së Kryeministrisë, ku qindra qytetarë janë mbledhur sërish në bulevard për të vijuar lëvizjen që prej më shumë se një muaji kërkon largimin e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshimin e klasës politike.
Në hapje të tubimit kanë dominuar thirrjet "Edi Rama o tradhtar, me Shqipërinë mos bëj pazar", ndërsa protestuesit kanë deklaruar se do të vijojnë rezistencën deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.
Një prej organizatorëve u shpreh se protesta ka hyrë tashmë në një fazë të re, duke e cilësuar atë si një lëvizje qytetare që ka vendosur një standard të ri të reagimit publik.
"Sot është dita e 38 e rezistencës. Si kurrë më parë po tregojmë se jemi qytetarë europianë që e dinë se çfarë kërkojnë nga institucionet e tyre dhe e dinë se kujt i kërkojnë dorëheqje. Si 37 ditët e shkuara, edhe sot do të kërkojmë të njëjtat gjëra që kemi kërkuar: dorëheqjen e kryeministrit dhe të gjithë qeverisë, si dhe krijimin e një qeverie tranzitore", deklaroi ai.
Gjatë tubimit janë lexuar sërish kërkesat që organizatorët i cilësojnë të panegociueshme. Ato përfshijnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të kabinetit qeveritar, ngritjen e një qeverie teknike tranzitore me mandat 12-mujor, hartimin e një Kushtetute të re përmes referendumit popullor, ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe kufizimin e mandatit të kryeministrit në jo më shumë se dy mandate gjatë gjithë jetës politike.
Protestuesit kanë ritheksuar gjithashtu se nuk heqin dorë nga kërkesat me të cilat nisi kjo lëvizje, duke kërkuar shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për Zonat e Mbrojtura, ligjin për Trashëgiminë Kulturore, Paketën e Maleve dhe kuadrin ligjor për Investimet Strategjike.
Sipas organizatorëve, protesta synon gjithashtu ndërtimin e një kontrate të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, e cila, sipas tyre, duhet të hartohet me pjesëmarrjen e ekspertëve, intelektualëve dhe qytetarëve të paangazhuar politikisht.
Edhe sot pritet që, pas përfundimit të fjalimeve para Kryeministrisë, protestuesit të vijojnë marshimin e tyre në rrugët e kryeqytetit, në kuadër të protestës së 38-të qytetare.
Profesori amerikan i ekonomisë, Steve Hanke, ka bërë një tjetër reagimpër protestat në Shqipëri. Në një postim në rrjetin social, profesori i ekonomisë së aplikuar në Johns Hopkins University shkruan se për të 37-n ditë me radhë mijëra shqiptarë kanë dalë në rrugët e Tiranës për të protestuar.
“Për të 37-n ditë, mijëra shqiptarë protestojnë në rrugët e Tiranës. Ata protestojnë kundër projekteve të mbështetura nga kryeministri Rama. Ka ardhur koha që kryeministri Rama të marrë derën e daljes. Revolucioni i Flamingove ka marrë hov”, shkruan Hanke.
Steve Hanke është një ekonomist amerikan, profesor në Johns Hopkins University dhe një nga ekspertët më të njohur në fushën e politikave monetare dhe inflacionit. Ai ka qenë këshilltar ekonomik në administratën e ish-presidentit Ronald Reagan dhe ka këshilluar qeveri të ndryshme për reforma ekonomike, përfshirë edhe Shqipërinë në fillim të viteve 1990.

Protestuesit kërkojnë 38 ditë rresht largimin e kryeministrit Edi Rama dhe kastës së vjetër politike...
Ka nisur këtë të martë protesta e 38-të para godinës së Kryeministrisë në Tiranë, ku qytetarë dhe aktivistë janë mbledhur për të shprehur kundërshtimin ndaj qeverisë dhe për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Protestuesit, të pajisur me pankarta dhe flamuj, u grumbulluan përpara selisë së qeverisë, duke artikuluar kërkesat e tyre për ndryshim politik dhe duke akuzuar qeverinë për keqqeverisje. Gjatë tubimit u dëgjuan thirrje për dorëheqjen e kryeministrit, ndërsa organizatorët deklaruan se protestat do të vijojnë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Sloganet që u artikuluan më së shumti janë si "Ky shtet ka mbaruar", "Kjo qeveri duhet të largohet", "Ju erdhi fundi", "Rama duhet të japë dorëheqjen", si edhe "Rama në burg, Berisha në burg".
Gjatë grumbullimit në sheshin 'Skënderbej' një protestues i bëri thirrje Ramës se nëse ka pak burrni, të largohet.
“Nëse ka gjak shqiptari, nëse është burrë shteti, nëse ka pak burrni dhe vlerë pak drejtësi, të japë dorëheqjen dhe të mos na çojë në gjakderdhje. I bëj thirrje që të japë dorëheqjen dhe të mos e çojë popullin drejt konfrontimit.”, tha ai.
Protesta ka bërë bashkë qytetarë të moshave dhe profesioneve të ndryshme, mes tyre fëmijë, të moshuar, studentë, pedagogë, profesionistë, aktivistë të shoqërisë civile, por edhe turistë të huaj që ndodheshin në Tiranë. Organizatorët e cilësojnë këtë si një lëvizje qytetare gjithëpërfshirëse, që sipas tyre po fiton mbështetje nga shtresa të ndryshme të shoqërisë.
Gjatë tubimive, protestuesit kanë përsëritur pesë kërkesat kryesore të lëvizjes, duke theksuar se ato janë të panegociueshme. Në krye të tyre qëndron dorëheqja e menjëhershme e kryeministrit Edi Rama, e ndjekur nga krijimi i një qeverie teknike, e cila sipas organizatorëve duhet të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Mes kërkesave janë edhe ndryshime kushtetuese dhe reforma që, sipas tyre, synojnë rikthimin e funksionimit normal të institucioneve dhe forcimin e shtetit të së drejtës. Organizatorët kanë deklaruar se protestat do të vijojnë deri në plotësimin e këtyre kërkesave.

Qytetarët u mblodhën edhe sot në sheshin "Skënderbej", në ditën e 38-të të protestës me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë.
Si çdo mbrëmje, protestuesit u organizuan për të marshuar drejt Kryeministrisë, ku pritet të mbahen fjalime dhe të përsëriten kërkesat për ndryshim politik.
Mes pjesëmarrësve ishte edhe një pensionist, i cili shprehu pakënaqësinë e tij jo vetëm ndaj qeverisë, por edhe ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha.
"I bëj thirrje zotit Berisha të mos ndërhyjë këtu. Berisha po tall byhën me ne. Edhe ky tjetri më keq se ai. Ato 4 mln euro në vend të ia japin pensionistëve, por shkojnë i lënë në tallava. Tallin byhën. Shkon Rama të bëjë të bukur Kryeministrinë e tij. Sot duhet mbi 150 mijë euro të marrësh një hyrje. Këta nuk kanë bërë asnjë gjë për ne, as për popullin që po ha dhe", tha ai.
Gjatë protestës foli edhe një arsimtar, i cili deklaroi se ishte larguar nga puna për arsye politike, pasi nuk kishte siguruar votues nga diaspora për Partinë Socialiste.
"Qeverisemi nga një organizatë kriminale. Kjo është për të ulëritur, jo për të protestuar. Këtij është t'ia kapësh për fyti atë që na drejton. Ta nxjerrësh jashtë loje. Isha në plazh para pak ditësh, Lana po ashtu, e gjithë Shqipëria bie erë m*t", u shpreh ai për "News 24".
Qytetari vijoi me deklaratat e e tij lidhur me largimin nga detyra.
"Më larguan nga puna, o Osman, sepse më kërkuan pesë emra nga jashtë shtetit, votues për organizatën kriminale. Isha nëndrejtor shkolle. Më tha vajza në Angli: 'Çfarë më shkruajnë të ndihmoj me fushatën?', ndërkohë që unë numrin e saj nuk ia kisha dhënë askujt. I thashë: 'Janë debilat e PS për votat'. Më larguan nga puna pastaj", shtoi protestuesi.
Protestuesit pritet të vijojnë marshimin drejt Kryeministrisë, ku do të mbajnë fjalime dhe më pas do të marshojnë në rrugët kryesore në Tiranë.

Për të 38-ën ditë radhazi, protestuesit janë mbledhur në sheshin "Skënderbej", duke vijuar protestën e tyre kundër qeverisë dhe klasës politike.
Të pajisur me pankarta dhe flamuj, ata kanë përsëritur thirrjet "Rama dorëhiqu", "Shqipëria është e rinisë, jo e partisë", "Revolucion", "Shqipëri e re" dhe "Ju erdhi fundi", ndërsa janë shprehur se protesta do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave të tyre.
Ashtu si në ditët e mëparshme, pas grumbullimit në qendër të Tiranës, protestuesit marshojnë drejt godinës së Kryeministrisë ku mbajnë fjalime, për të vijuar më pas marshimin në disa nga akset kryesore të kryeqytetit.
Protestës i janë bashkuar qytetarë të moshave të ndryshme, nga të rinjtë deri te familjarët me fëmijë. Pavarësisht se gjatë ditëve të fundit disa pjesëmarrës janë shoqëruar dhe arrestuar nga Policia, e më pas janë lënë të lirë, organizatorët thonë se kjo nuk ka ndikuar në vijimin e protestës, e cila prej 38 ditësh zhvillohet çdo mbrëmje në Tiranë.
Një qytetar nga Italia i cili iu bashkua protestës së zhvilluar në Tiranë, vlerësoi mënyrën se si po zhvillohet protesta, duke e cilësuar atë si një manifestim paqësor dhe qytetar.
"Kjo është protesta më madhështore, më civile, një protestë pa dhunë, një protestë që nuk ishte parë ndonjëherë në Shqipëri. Është bërë model imitimi edhe në vende perëndimore. Ne u detyruam të largoheshim... U kërkoj falje fëmijëve të mi dhe brezit të fëmijëve të mi që nuk i ndaluam në kohë këta maskarenj që kanë marrë peng Shqipërinë, na vodhën jetën tonë dhe të fëmijëve tanë", u shpreh ai për "News 24".
Lini një Përgjigje