Nga Kuvendi, protestuesit janë zhvendosur dhe kanë bllokuar qarkullimin e automjeteve në urën pranë Rrugës së Elbasanit.
Aktualisht asnjë automjet nuk mund të kalojë drejt bulevardit “Zhan D’Ark”, ndërsa policia ka nisur ndërhyrjen për zhbllokimin e aksit rrugor.
Efektivët po përpiqen të zhvendosin protestuesit për të mundësuar lëvizjen e mjeteve, ndërkohë që trafiku në segmentin nga Brryli në drejtim të qendrës së Tiranës është rënduar ndjeshëm.

Qytetarët deklarojnë se nuk do ta lirojnë rrugën deri në momentin kur t’u lejohet kalimi drejt Parlamentit. Gjatë protestës, ata kanë bërë edhe thirrje ndaj drejtuesve të automjeteve që të fikin motorët e makinave në shenjë mbështetjeje.
Policia vijon përpjekjet për normalizimin e situatës dhe rikthimin e qarkullimit në këtë segment rrugor, ndërsa protestuesit mbeten të vendosur në kërkesën e tyre për t’u afruar pranë Kuvendit.
Protestuesit gjithashtu kanë hedhur vezë dhe domate në drejtim të policisë ndërsa në minutat në vijim pritet të mbërrijnë edhe deputet të cilët në orën 10:00 do të marrin pjesë në seancën plenare në Kuvend.
Lini një Përgjigje