TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 9 Qershor 2026, 17:04

Gjykata e Lartë rihap aferën 2.8 mld lekë me tenderin e uniformave të policisë, kthen për rigjykim dosjen

Shkruar nga Pamfleti
Gjykata e Lartë rihap aferën 2.8 mld lekë me tenderin e
Foto ilustruese

Dhjetë ish-zyrtarë dhe zyrtarë të Ministrisë së Brendshme, mes tyre edhe ish-drejtoresha Edlira Naqellari, do të përballen sërish me drejtësinë. Ata ishin shpallur fajtorë nga dy shkallë gjykimi për shkeljen e barazisë në tenderin 25 milionë euro të uniformave të Policisë së Shtetit.

Gjykata e Lartë ka prishur vendimin e Gjykatës së Apelit të Posaçëm për dosjen e shumëpërfolur të tenderit të uniformave të Policisë së Shtetit dhe ka urdhëruar rigjykimin e çështjes me një trupë tjetër gjykuese.

Vendimi prek ish-drejtoreshën e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, Edlira Naqellari, si dhe Flutura Çekrezin, Anisa Bogdanin, Ani Omurin, Aurora Mullën, Kleivis Hasanin, Kreshnik Bejkajn, Gëzim Mingajn, Fatmir Demnerin dhe Mariglen Buzalin, të cilët ishin shpallur fajtorë për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera.

Bëhet fjalë për tenderin me fond limit 2.8 miliardë lekë, ose rreth 25 milionë euro, për blerjen e uniformave dhe këpucëve të Policisë së Shtetit, një procedurë që u hetua nga SPAK pas kallëzimit të bërë në vitin 2021 nga ish-deputetët e opozitës parlamentare Halit Valteri dhe Myslim Murrizi.

SPAK akuzoi zyrtarët se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me ish-drejtoreshën Edlira Naqellari, kishin shkelur rregullat e prokurimit publik dhe barazinë në tendera, duke favorizuar fituesin dhe duke shkaktuar dëm ekonomik ndaj shtetit.

Në fund të vitit 2021, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i dënoi të pandehurit me nga një vit burg, dënim që u ul për shkak të gjykimit të shkurtuar. Për një pjesë të tyre, dënimet u konvertuan në shërbim prove. Më pas, edhe Gjykata e Apelit të Posaçëm la në fuqi vendimin e fajësisë.

Megjithëse të gjithë të dënuarit kanë përfunduar shlyerjen e dënimeve, ata vijojnë të jenë të përjashtuar nga ushtrimi i funksioneve publike për pesë vite.

Sipas hetimeve të SPAK, problemi kryesor qëndronte te mënyra sesi u shpall fituesi i tenderit. Fillimisht në garë mori pjesë një bashkim operatorësh ekonomikë nga Kroacia, i cili kishte paraqitur ofertën më të ulët. Megjithatë, kjo kompani u skualifikua me argumentin se nuk kishte paraqitur disa mostra të kërkuara në procedurë.

Pas saj u skualifikua edhe një kompani turke, ndërsa fitues u shpall bashkimi i katër operatorëve ekonomikë, i përbërë nga kompania shqiptare “D&E” dhe tre kompani të huaja, “Summer Conf”, “Lovers” dhe “Yakupoglu Tekstil”.

Sipas SPAK, Edlira Naqellari kishte ushtruar ndikim mbi Komisionin e Vlerësimit të Ofertave për të favorizuar këtë bashkim kompanish, pavarësisht se sipas hetimit ato nuk plotësonin një sërë kriteresh teknike dhe kishin mangësi në dokumentacion.

Një nga elementët që ngriti dyshime ishte edhe diferenca mes ofertave. Sipas kallëzuesve, kompania fituese kishte paraqitur një ofertë rreth 5 miliardë lekë më të lartë se operatorët ekonomikë të skualifikuar.

Hetimet evidentuan gjithashtu problematika lidhur me cilësinë, sasinë dhe çmimet e uniformave. Sipas SPAK, pas rihapjes së procedurës në fund të vitit 2019, sasitë e uniformave, këpucëve dhe kapeleve u reduktuan ndjeshëm, ndërsa fondi prej 2.8 miliardë lekësh mbeti i pandryshuar.

Një tjetër element i konstatuar gjatë hetimeve ishte ndryshimi i përbërjes së Komisionit të Vlerësimit të Ofertave gjatë procedurës. Fillimisht komisioni përbëhej nga tre anëtarë, por më pas u shtuan edhe dy të tjerë, ndërsa një prej anëtarëve dha dorëheqjen në mes të procesit pa një shpjegim publik.

Menjëherë pas shpalljes së fituesit, procedura u denoncua si problematike edhe nga Open Data Albania, ndërsa një prej kompanive të skualifikuara paraqiti ankim pranë institucioneve përgjegjëse për prokurimet publike.

Tashmë, me vendimin e Gjykatës së Lartë për prishjen e vendimit të Apelit, e gjithë çështja do të rikthehet për shqyrtim nga një trupë tjetër gjykuese, duke rihapur një nga dosjet më të bujshme të SPAK për abuzimet me fondet publike. /Pamfleti

uniforma policia

Lini një Përgjigje