TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 4 Korrik 2026, 13:27

Gjyqi nuk ndalet, Kushtetuesja rrëzon kërkesën e Erion Veliajt

Shkruar nga Pamfleti
Gjyqi nuk ndalet, Kushtetuesja rrëzon kërkesën e Erion Veliajt
Erion Veliaj në Kushtetuese

Kolegji vendosi të mos kalojë për shqyrtim kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës, i cili kundërshtonte vendimin e gjyqtares Etleva Deda dhe kërkonte pavlefshmërinë e seancave të zhvilluara pas tij, si edhe shpalljen antikushtetuese të dy dispozitave ligjore…

Kolegji i Gjykatës Kushtetuese ka vendosur të mos kalojë për shqyrtim në seancë plenare padinë e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke mos pranuar kërkesën e tij për shpalljen të pavlefshëm të vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), që i hapi rrugë nisjes së procesit gjyqësor ndaj tij.

Vendimi i Kolegjit nënkupton se kërkesa e Veliajt nuk do të shqyrtohet në themel nga Gjykata Kushtetuese, ndërsa procesi gjyqësor ndaj tij vijon sipas procedurave të zakonshme.

Padia e kryebashkiakut kishte në qendër vendimin nr. 29, datë 9 shkurt 2026, të marrë nga gjyqtarja e seancës paraprake në GJKKO, Etleva Deda. Me këtë vendim u vendos kalimi për gjykim i dosjes penale të hetuar nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), rreth një vit pas arrestimit të Veliajt.

Sipas kërkesës së depozituar në Gjykatën Kushtetuese, Veliaj pretendonte se vendimi i gjyqtares së seancës paraprake ishte në kundërshtim me Kushtetutën dhe për këtë arsye kërkonte shfuqizimin e tij.

Përveç këtij kërkimi, ai kërkonte që Gjykata Kushtetuese të shpallte të pavlefshme të gjitha seancat gjyqësore të zhvilluara në lidhje me procedimin penal nr. 27/2024, pas datës 9 shkurt 2026, duke argumentuar se ato mbështeteshin mbi një vendim që, sipas tij, ishte antikushtetues.

Një tjetër pjesë e padisë kishte të bënte me kontrollin kushtetues të dispozitave ligjore që rregullojnë procedurën penale dhe funksionimin e institucioneve të posaçme të drejtësisë.

Konkretisht, Veliaj kërkonte: shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të vendimit nr. 29, datë 9 shkurt 2026, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të dhënë nga gjyqtarja e seancës paraprake Etleva Deda;  

shpalljen të pavlefshme të të gjitha seancave gjyqësore të zhvilluara në procedimin penal nr. 27/2024 pas këtij vendimi;

konstatimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të paragrafit të parë, shkronja "a", të nenit 332/gj të Kodit të Procedurës Penale;

konstatimin si antikushtetues të nenit 14 të ligjit nr. 95, datë 6 janar 2026, "Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar".

Me vendimin e Kolegjit të Gjykatës Kushtetuese për të mos e kaluar çështjen në seancë, asnjë prej këtyre kërkesave nuk do t'i nënshtrohet shqyrtimit në themel.

Ndërkohë, procesi penal ndaj Erion Veliajt vijon në Gjykatën e Posaçme. Për kryebashkiakun e Tiranës, bashkëshorten e tij Ajola Xoxa dhe një pjesë të të pandehurve të tjerë në të njëjtën çështje, gjykimi ka nisur nga e para, pasi ata zgjodhën procedurën e zakonshme të gjykimit dhe jo gjykimin e shkurtuar.

Ndryshe nga ky grup, disa prej të pandehurve të tjerë në të njëjtin procedim penal kanë kërkuar të gjykohen me procedurën e gjykimit të shkurtuar, e cila parashikon zhvillimin e procesit vetëm mbi bazën e akteve të administruara gjatë hetimit, pa administrimin e provave të reja në seancë.

Mospranimi i padisë nga Kolegji i Gjykatës Kushtetuese lë në fuqi vendimin e gjyqtares së seancës paraprake për kalimin e dosjes në gjyq dhe nuk sjell ndryshime në ecurinë e procesit penal ndaj Erion Veliajt dhe të bashkëpandehurve të tjerë.

Pak ditë më parë, Gjykata Kushtetuese publikoi vendimin e arsyetuar për ankimin e Erion Veliajt, duke pranuar pjesërisht kërkesën e tij dhe duke shfuqizuar vendimin e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë për masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Në vendimin nr. 57, datë 25 maj 2026, të shpallur më 1 korrik 2026, Gjykata Kushtetuese ka vendosur që çështja të kthehet për shqyrtim në Gjykatën e Lartë, pasi ka konstatuar probleme kushtetuese në mënyrën se si kjo gjykatë ka trajtuar pretendimet e Veliajt.

Në dispozitivin e vendimit, Gjykata Kushtetuese shprehet: “Pranimin e pjesshëm të kërkesës. Shfuqizimin e vendimit nr. 00-2025-1153 (176), datë 08.07.2025 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Dërgimin e çështjes për shqyrtim në Gjykatën e Lartë.”

Thelbi i vendimit lidhet me faktin se, sipas Kushtetueses, Gjykata e Lartë nuk ka ushtruar kontroll efektiv mbi masën më të rëndë të sigurisë personale, atë të arrestit në burg, veçanërisht në raport me funksionin publik të Veliajt si kryetar i Bashkisë së Tiranës, i zgjedhur me votë të drejtpërdrejtë.

Gjykata Kushtetuese vëren se në rekurs ishin ngritur pretendime thelbësore për mungesën e proporcionalitetit të masës, por Gjykata e Lartë, sipas saj, është mjaftuar kryesisht me miratimin e arsyetimit të GJKKO-së së Apelit.

Në vendim thuhet: “Gjykata e Lartë është mjaftuar, në thelb, me miratimin e arsyetimit të GJKKO-së së Apelit, pa verifikuar, në raport me pretendimet konkrete të ngritura në rekurs, nëse ai arsyetim u kishte dhënë përgjigje të mjaftueshme pretendimeve të kërkuesit për nevojën e një arsyetimi të individualizuar”. /Pamfleti/

 

 

kushtetuesja veliaj gjyqi

Lini një Përgjigje