
Aktivisti i diasporës: Nuk duam një shtet ku sundon njëshi
Aktivisti i diasporës shqiptare, Florian Haçkaj, i ka cilësuar sulmet e kryeministrit Edi Rama, duke i cilësuar ato si përpjekje për të intimiduar protestuesit dhe për të zhvendosur vëmendjen nga thelbi i revoltës qytetare.
I ftuar në podkastin "Të Pashoq" të Pamfletit, Haçkaj deklaroi se sulmet personale nuk do t'i trembin qytetarët që kanë dalë në protestë, ndërsa akuzoi kryeministrin se po vepron jashtë rolit të tij institucional.
"Sulmet janë një paligjshmëri totale dhe ai i bën autogol vetes me këtë që bën. Njerëzit nuk duhet ta lënë pas dore këtë dhe nuk duhet të intimidohen. Ndoshta ai mendon se me këto sulme do t'i frikësojë qytetarët, por nuk na intereson fare. Jemi në të drejtën tonë. Të paktën flas për veten time, nuk kam frikë. Nuk po sulmoj askënd personalisht, po denoncoj vetëm keqqeverisjen. Ne duam një shtet të së drejtës në Shqipëri, nuk duam një shtet ku sundon njëshi," u shpreh Haçkaj.
Aktivisti komentoi edhe deklaratat e përsëritura të kryeministrit, i cili ka folur për përfshirje të agjenturave të huaja në protestë dhe për verifikimin e personave që marrin pjesë në tubime.
Sipas Haçkajt, nëse ekzistojnë dyshime për veprimtari të paligjshme, ato duhet të hetohen nga institucionet kompetente dhe jo të përdoren si argument politik nga kryeministri.
"Patjetër, le t'i vërtetojë shteti. Por jo kryeministri, sepse nuk është detyra e tij. Nuk jetojmë në shtetin privat të Ramës. Kemi SHISH-in dhe institucionet e tjera që kanë për detyrë të hetojnë. Kushdo që është pjesë e agjenturave, le të dalë përpara përgjegjësisë. Por ajo që po ndodh sot është një përpjekje për të vrarë protestën. Protestat janë shpirtra të lirë. Nëse flasin pesë apo dhjetë veta në mikrofon, në shesh janë mijëra qytetarë të lirë që protestojnë. Ata duhen dëgjuar, jo të kërkohen justifikime dhe 'kleçka' për t'i diskredituar," deklaroi Haçkaj.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur protesta qytetare ka hyrë në ditën e 32-të, ndërsa debati mes qeverisë dhe organizatorëve të lëvizjes është zhvendosur edhe në rrjetet sociale, me akuza dhe kundërakuza të vazhdueshme.
Lini një Përgjigje