TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 1 Korrik 2026, 20:15

Aktivisti Florjan Haçkaj i përgjigjet Ramës: Po bën autogol, tenton të largojë vëmendjen nga protesta

Shkruar nga Pamfleti
Aktivisti Florjan Haçkaj i përgjigjet Ramës: Po bën
Florjan Haçkaj

Aktivisti i diasporës paralajmëron edhe veprime ligjore: Një kryeministër nuk mund të hulumtojë të dhënat shëndetësore të qytetarëve

Debati mes kryeministrit Edi Rama dhe aktivistit të diasporës Florjan Haçkaj është kthyer në një nga përplasjet më të forta politike të ditëve të fundit në rrjetet sociale.

Gjithçka nisi pasi Haçkaj publikoi një video me tone të ashpra ndaj kryeministrit, të titulluar "F*ck you too, Edi Rama!", ku e akuzonte kreun e qeverisë për dështimin e sistemit shëndetësor, korrupsionin dhe largimin masiv të shqiptarëve nga vendi. Videoja u shpërnda gjerësisht në rrjetet sociale dhe u bë virale.

Reagimi i Edi Ramës nuk vonoi. Fillimisht, kryeministri iu përgjigj gjatë podkastit "Flasim", ndërsa pak orë më vonë publikoi edhe një videomontazh disa minutash, ku analizonte dhe kundërshtonte, pikë për pikë, pretendimet e aktivistit. Në reagimin e tij, Rama u ndal edhe te rasti personal i familjes së Haçkajt, duke folur për trajtimin shëndetësor të babait të ndjerë të aktivistit.

Pikërisht kësaj pjese i është përgjigjur sot Florian Haçkaj, i ftuar në podkastin "Të Pashoq" të Pamfletit.

Haçkaj, bashkëthemelues i organizatës "Diaspora për Shqipërinë e Lirë", tha se sulmi personal i kryeministrit është një përpjekje për të shmangur debatin mbi problemet reale që kanë nxjerrë qytetarët në rrugë prej më shumë se një muaji.

"Organizata jonë ekziston prej gjashtë vitesh. Ka lindur si revoltë ndaj keqqeverisjes, ditën që u shemb Teatri Kombëtar. Sot, kur shohim qytetarët që prej mbi 30 ditësh protestojnë dhe kanë vrarë frikën, ne ndiejmë një fitore morale. Kur përballesh me një pushtet si ai i Ramës, është e pritshme të sulmohesh, por unë mendoj se ai i ka bërë një autogol shumë të madh vetes", u shpreh Haçkaj.

Sipas tij, një kryeministër nuk duhet të merret personalisht me qytetarë të zakonshëm, por me problemet që ata ngrenë.

"Unë flas si një shqiptar i thjeshtë, jo si politikan. Aktivizmi im nisi nga drama familjare me babain tim dhe gjendja e sistemit shëndetësor. Në vend që të merret me këto probleme, kryeministri harxhon kohë duke montuar video për një qytetar. Nuk dua ta kthej këtë në një ping-pong me Ramën, sepse pikërisht këtë kërkon ai: të largohet vëmendja nga protesta dhe nga problemet reale të shqiptarëve", deklaroi ai.

Haçkaj ngriti edhe një tjetër akuzë, duke pretenduar se kryeministri ka përdorur të dhëna që lidhen me historikun mjekësor të babait të tij.

"Me çfarë të drejte kryeministri hulumton të dhënat e një pacienti? Këto janë të dhëna sensitive. Në Austri, edhe mua si djalë m'u desh të provoja me dokumente se kisha të drejtë të merrja kartelën e babait tim. Ndërsa këtu del kryeministri dhe thotë se i ka parë këto të dhëna. Kjo është një çështje ligjore dhe unë do ta ndjek privatisht", tha Haçkaj.

florjan haçkaj protesta

Lini një Përgjigje