TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet26 Qershor 2026, 10:52

Helmimi i studentëve të policisë, AKU pezullon aktivitetin e Sori-Al deri në përgjigjen e analizave

Shkruar nga Pamfleti
Helmimi i studentëve të policisë, AKU pezullon aktivitetin e
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU)

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka reaguar pas helmimeve të disa kursantëve në Akademinë e Sigurisë në Sauk, duke bërë të ditur se ka nisur menjëherë verifikimet pas informacionit të marrë përmes komunikimit ndërinstitucional me Akademinë.

Sipas AKU-së, kontrollet e para u zhvilluan në subjektin SORI-AL, i cili ofron shërbimin e catering-ut për Akademinë e Sigurisë në Sauk dhe Garnizonin "Skënderbej" pranë Akademisë së Forcave të Armatosura.

Nga inspektimi në Akademinë e Sigurisë u konstatua se aktiviteti zhvillohej në kushte të përshtatshme higjieno-sanitare dhe me dokumentacionin e nevojshëm. Inspektorët morën 14 mostra ushqimore, shtatë nga vakti i drekës dhe shtatë nga vakti i darkës të datës 24 qershor 2026, të cilat janë dërguar për analiza mikrobiologjike në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV).

Në vijim të hetimeve, AKU kreu kontroll edhe në Garnizonin "Skënderbej", ku përpunoheshin ushqimet. Edhe aty u konstatuan kushte të përshtatshme higjieno-sanitare dhe dokumentacion i rregullt. Gjatë inspektimit u morën 14 mostra të tjera të ushqimeve të ruajtura, si dhe pesë tampone ambientale nga pajisjet dhe mjediset e punës për analiza laboratorike.

Si masë paraprake, AKU urdhëroi ndërprerjen e aktivitetit në ambientet e Garnizonit "Skënderbej" deri në publikimin e rezultateve të analizave laboratorike.

Në kontrollet e zhvilluara morën pjesë edhe përfaqësues të Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Tiranë, Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit bën me dije se do të vijojë ndjekjen e rastit dhe do të marrë masat e nevojshme në funksion të garantimit të sigurisë ushqimore.

Njoftimi i AKU:

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në funksion të informimit publik dhe transparencës bën me dije se, nëpërmjet komunikimit ndërinstitucional me Akademinë e Sigurisë në Sauk ka marrë informacion për dyshim helmimi të disa kursantëve pranë kësaj akademie.

Menjëherë, nga AKU janë kryer verifikimet përkatëse në subjektin SORI-AL, subjekt i cili ushtron veprimtarinë e catering-ut pranë Akademisë së Sigurisë,Sauk si dhe në Garnizoni “Skënderbej” pranë Akademisë së Forcave të Armatosura.

Nga verifikimet në Akademinë e Sigurisë,Sauk u konstatua se subjekti ushtronte aktivitetin në kushte higjieno-sanitare të përshtatshme dhe me dokumentacion shoqërues të përshtatshëm. U krye kampionimi i 14 mostrave (7 kampione nga vakti i drekës dhe 7 nga vakti i darkës nga kampionet në ruajtje të produkteve të gatshme të përpunuara pranë Garnizonit Skenderbej, Tiranë, dhe të konsumuara me datë 24.06.2026, pranë Akademisë së Sigurisë Sauk) për analizim për treguesit mikrobiologjikë pranë laboratorit të ISUV.

Në vijim të ndjekjes së gjurmuueshmërisë u krye inspektimi në subjektin “Garnizoni Skenderbej, Tiranë”, ku është kryer përpunimi i produkteve.

Në këto ambiente u konstatuan kushte higjieno-sanitare të përshtatshme dhe dokumentacion i plotë shoqërues. Gjatë procedurës u krye marrja e 14 mostrave në ruajtje të ushqimeve të gatuara nga vakti i drekës dhe darkës të datës 24.06.2026, si dhe 5 mostra tampon për higjienën ambientale dhe të pajisjeve, të cilat u dërguan për analizim pranë ISUV.

Në adresën Garnizoni Skënderbej, Tiranë, u mor masë me ndërprerje aktiviteti deri në daljen e përgjigjes së analizave. Gjatë këtyre procedurave inspektimi ishin prezentë edhe institucione të tjera si NJVKSH Tiranë (të cilët morën tampone ambientale në ambiente, pajisje dhe punonjës) ISHSH dhe Drejtoria e Policisë së Shtetit, Tiranë.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit do të vijojë me ndjekjen hap pas hapi të gjithë rastit dhe marrjen e masave në vijim me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore.

Lini një Përgjigje