TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet28 Qershor 2026, 12:26

"Jo 3, po 10 tonë në javë i përballoj", përgjimet e SPAK zbardhin bisedat e Eldi Dizdarit

Shkruar nga Pamfleti
"Jo 3, po 10 tonë në javë i përballoj",
Eldi Dizdari-Dritan Gjika

"Nuk dorëzohem unë jo, dhe me 20 punë", "Jo tre, po 10 në javë i përballoj". Këto janë disa nga komunikimet që Eldi Dizdari zhvillon me Shpëtim Aliun, të cilin SPAK e identifikon si drejtues të një organizate kriminale që furnizonte me kokainë të paktën katër grupe kriminale shqipfolëse.

Sipas komunikimeve të zbardhura në dosjen e SPAK, Dizdari i kërkonte Aliut dërgesa të pakufizuara kokaine, duke i garantuar se ishte në gjendje të priste dhe të menaxhonte në Evropë ngarkesa që arrinin deri në 10 tonë.

Hetimet e SPAK tregojnë se Eldi Dizdari porosiste vazhdimisht sasi të mëdha kokaine nga Shpëtim Aliu. Sipas dosjes, vetëm brenda pak ditësh ai kishte transferuar rreth 8 milionë euro drejt Ekuadorit, shuma që dyshohet se lidhen me organizimin e trafikut të drogës.

Prokuroria e Posaçme dyshon se Dizdari bashkëpunonte me Shpëtim Aliun dhe Armando Pacanin për organizimin e dërgesave të kokainës nga Ekuadori drejt porteve evropiane.

Nga komunikimet e siguruara përmes aplikacionit të koduar Sky ECC, SPAK ka arritur në përfundimin se Shpëtim Aliu kishte rolin e organizatorit dhe garantuesit të nisjes së ngarkesave me kokainë për llogari të Eldi Dizdarit.

Në biseda, Dizdari kërkon vazhdimisht nisjen e sasive të mëdha të drogës, duke siguruar se kishte mundësi t'i nxirrte ngarkesat nga portet evropiane, pavarësisht mënyrës së fshehjes së tyre.

Përveç Dizdarit, Pacanit dhe Sokol Bibajt, SPAK thotë se Shpëtim Aliu bashkëpunonte ngushtë edhe me Dritan Gjikën, i konsideruar një nga emrat më të rëndësishëm të trafikut ndërkombëtar të narkotikëve.

Sipas hetimeve, Dritan Gjika siguronte kokainën, ndërsa Shpëtim Aliu garantonte daljen e sigurt të ngarkesave nga portet e Ekuadorit.

Dosja zbulon gjithashtu se të dy kishin krijuar një rrjet që dyshohet se përfshinte edhe korruptimin e zyrtarëve në Ekuador. Në një nga komunikimet e përgjuara, Aliu i shkruan Dritan Gjikës: "Këtu na shohin të gjithë si dollar".

Me këtë mesazh, sipas SPAK, ai shprehte shqetësimin për shpenzimet e mëdha që po kryheshin për korruptimin e zyrtarëve. Pjesë e organizatës kriminale ishin edhe dy nipat e Shpëtim Aliut, Oklid Ej Ouejdi alias Oklid Aliu alias Oklid Dalipi dhe Naldi Yzeraj.

Sipas hetimeve, Oklid Ej Ouejdi kishte përgjegjësinë për koordinimin e aktivitetit kriminal të organizatës në Evropë.

SPAK thotë se Shpëtim Aliu, i njohur edhe me emrin Salvatore, furnizonte me kokainë grupet kriminale të drejtuara nga Eldi Dizdari (alias Denis Matoshi), Armando Pacani, Sokol Bibaj dhe Dritan Gjika.

Operacioni i Prokurorisë së Posaçme çoi në lëshimin e 10 urdhër-arresteve dhe në sekuestrimin e pasurive me një vlerë të përllogaritur prej 150 milionë eurosh./ News 24

Lini një Përgjigje