Pas mbi dy orësh fjalime, mijëra protestues nisin marshimin në Tiranë...
Pas më shumë se dy orësh fjalime para godinës së Kryeministrisë, protestuesit kanë nisur marshimin tradicional në rrugët e Tiranës, duke e kthyer edhe një herë kryeqytetin në epiqendrën e revoltës qytetare që ka hyrë tashmë në ditën e saj të 28-të.
Me dhjetëra flamuj kuqezi në duar dhe nën brohoritje të pandërprera, qytetarët po përshkojnë bulevardet e kryeqytetit, ndërsa kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshimin e klasës politike që, sipas tyre, ka qeverisur vendin për më shumë se tri dekada.
Gjatë marshimit po jehojnë thirrjet që tashmë janë kthyer në sloganet kryesore të kësaj lëvizjeje: "Ju erdhi fundi", "Rama jep dorëheqjen", "Rama ik", "Shqipëri e re", "Rama në burg", "Berisha në burg", si dhe thirrje të tjera kundër korrupsionit dhe sistemit politik.
Atmosfera është e ngjashme me netët e mëparshme, por organizatorët e cilësojnë protestën e sotme si një moment të veçantë, pasi është thirrur si protestë kombëtare dhe ka mbledhur qytetarë nga zona të ndryshme të vendit.
Marshimi vjen pasi në podium u mbajtën një sërë fjalimesh nga qytetarë, aktivistë dhe personalitete publike, të cilët përsëritën kërkesat për dorëheqjen e qeverisë, krijimin e një qeverie teknike tranzitore dhe ndryshime të thella kushtetuese e zgjedhore.
Protestuesit kanë deklaruar se lëvizja nuk është më vetëm kundër projektit në Zvërnec, aty ku nisi revolta katër javë më parë, por është shndërruar në një reagim të gjerë kundër qeverisë dhe gjithë kastës politike.
Teksa kolona e protestuesve vijon marshimin në rrugët e Tiranës, organizatorët kanë bërë të qartë se protesta do të vazhdojë çdo ditë deri në realizimin e kërkesave të tyre, me në krye largimin e kryeministrit Edi Rama.
Flamingot do të përfitojnë nga demonstratat. Por aeroporti i Vlorës do të jetë një kërcënim shumë më i madh: Zhurma dhe ajri, karburanti, përveç shumë automjeteve dhe njerëzve. Si do t'i mbijetojë Kryeministri Flamingo kësaj? A do të përgjigjet Pacolli?