Pas tubimit përpara godinës së Kryeministrisë, protestuesit kanë nisur marshimin në rrugët e Tiranës, duke vijuar protestën e 45-të radhazi kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Me flamuj kombëtarë, pankarta dhe thirrje kundër qeverisë, pjesëmarrësit po përshkojnë rrugët kryesore të kryeqytetit.
Gjatë marshimit, protestuesit kanë përsëritur se nuk kanë ndërmend të tërhiqen nga kauza e tyre dhe se protestat do të vazhdojnë deri në dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
"Nuk dorëzohemi" dhe "Rama ik" janë ndër thirrjet që dëgjohen më shpesh përgjatë itinerarit të protestës, ndërsa pjesëmarrësit shprehen se do të vijojnë të dalin në rrugë çdo javë, derisa, sipas tyre, të ketë një ndryshim në drejtimin e vendit.
Protestuesit kërkojnë që prioritet i qeverisë të jenë arsimi, shëndetësia dhe mirëqenia e qytetarëve, duke kundërshtuar, sipas tyre, shpenzimet për aktivitete që nuk adresojnë problemet e përditshme të shqiptarëve. Mes pankartave dhe thirrjeve është përsëritur edhe mesazhi: "Duam shkolla dhe spitale, jo koncerte."
Pjesëmarrësit akuzojnë qeverinë se ka humbur kontaktin me problemet e qytetarëve dhe pretendojnë se drejtuesit e saj kanë hyrë në politikë për përfitime personale. Këto mbeten qëndrime të shprehura nga protestuesit gjatë tubimit.
Pavarësisht se kjo është protesta e 45-të, organizatorët dhe pjesëmarrësit shprehen se vendosmëria e tyre nuk është zbehur. Përkundrazi, sipas tyre, çdo protestë ka sjellë më shumë qytetarë dhe ka forcuar bindjen se ndryshimi është i mundur.
Ata thonë se vazhdimësia e protestave ka krijuar një frymë më të madhe solidariteti dhe angazhimi qytetar, duke u dhënë shpresë se zëri i tyre do të dëgjohet. Sipas protestuesve, ky është vetëm një hap i radhës i një lëvizjeje që, sipas tyre, do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Lini një Përgjigje