Ish-presidenti Ilir Meta është shoqëruar mëngjesin e kësaj të mërkure nga burgu 313 drejt hotelit “Rogner” në Tiranë, ku po zhvillohet pritja e ngushëllimeve pas ndarjes nga jeta të babait të tij, Rexhep Metaj.
Në pamjet e siguruara nga mediat, Meta shihet teksa mbërrin në ambientet e hotelit i shoqëruar nga efektivë të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe nën masa të posaçme sigurie.
Pritja e ngushëllimeve ka nisur në orën 09:00 dhe do të vijojë deri në orën 21:00, ku familjarë, miq, bashkëpunëtorë dhe personalitete të ndryshme pritet të shprehin ngushëllimet për humbjen e familjes Meta.
Kjo është hera e dytë brenda dy ditësh që Ilir Meta del nga qelia. Një ditë më parë, ai u lejua të marrë pjesë në ceremoninë mortore të babait të tij, Rexhep Metaj, e zhvilluar në fshatin Çepan të Skraparit.
Dalja e sotme është realizuar në kuadër të procedurave ligjore që lejojnë pjesëmarrjen e personave të privuar nga liria në raste të veçanta familjare, nën mbikëqyrjen e autoriteteve përkatëse.
Lini një Përgjigje