Ish-komandanti i Marinës shqiptare, Artur Meçollari, deklaroi se Samiti i NATO-s, i cili do të zhvillohet më 7-8 korrik në Ankara, pritet të jetë një nga takimet më të rëndësishme të aleancës, me në qendër të diskutimeve rolin e Shteteve të Bashkuara, rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen dhe mbështetjen për Ukrainën.
Meçollari u shpreh se prania e presidentit amerikan Donald Trump pritet të ketë ndikim të rëndësishëm në diskutimet e samitit, duke rikthyer në vëmendje kërkesën që vendet evropiane të marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e aleancës.
Sipas tij, samiti do të karakterizohet nga tre çështje kryesore: roli i SHBA-së në NATO, koncepti i ashtuquajtur “NATO 3.0”, që lidhet me rritjen e kontributit të vendeve evropiane në mbrojtje, si dhe vijimi i mbështetjes financiare dhe ushtarake për Ukrainën.
“Na pret një samit i rëndësishëm ku edhe Shqipëria ka një rol të rëndësishëm. Karakteristika më e rëndësishme është prania e presidentit Trump, i cili ka ndikuar ndjeshëm në zhvillimet brenda NATO-s. Një tjetër element është marrja e më shumë përgjegjësive nga vendet evropiane për mbrojtjen dhe arkitekturën e aleancës nga pikëpamja e buxheteve. Gjithashtu, në fokus do të jetë edhe Ukraina dhe Rusia, ku pritet të diskutohet për mbështetje të mëtejshme financiare për Kievin”, tha Meçollari për emisionin “Review”.
Duke komentuar pozicionin e Shqipërisë, ish-komandanti i Marinës tha se vendi nuk ka arritur objektivin e NATO-s për të shpenzuar 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen, pavarësisht se ky nivel ishte planifikuar në buxhet.
Sipas tij, në fund të vitit 2025, shpenzimet reale për mbrojtjen rezultuan në 1.75% të PBB-së, pasi rreth 75 milionë euro të planifikuara nuk u shpenzuan dhe iu kthyen Ministrisë së Financave.
“Kemi planifikuar 2.01% në fillim të vitit, por në fund të vitit shpenzimet reale kanë qenë 1.75%. Kjo do të thotë se Shqipëria nuk e ka përmbushur objektivin e NATO-s për shpenzimet në mbrojtje”, deklaroi Meçollari.
Ai shtoi se një nga temat që pritet të ngrihet në samit lidhet edhe me kërkesat e administratës amerikane ndaj aleatëve evropianë për të rritur kontributin në sigurinë kolektive, duke përfshirë angazhimin në zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme dhe rritjen e buxheteve të mbrojtjes.
Lini një Përgjigje