Një qytetare që mori fjalën gjatë protestës së zhvilluar këtë mbrëmje para Kryeministrisë deklaroi se është përballur me masa disiplinore në vendin e punës pasi mori pjesë në protestat kundër qeverisë.
Sipas saj, menjëherë pas pjesëmarrjes në një prej tubimeve, ajo u thirr përpara komisionit disiplinor dhe mori paralajmërim për largim nga puna.
"Në momentin që dola në protestë, më thirrën në komision disiplinor dhe më dhanë paralajmërim për pushim nga puna", deklaroi ajo para protestuesve.
Në vijim të fjalës së saj, qytetarja u bëri thirrje punonjësve të administratës publike që të mos kenë frikë të shprehin qëndrimet e tyre dhe t'u bashkohen protestave.
"Hiqeni frikën, mësues, infermierë, policë. Sot është dita për t’u zgjuar, jo për të fjetur", u shpreh ajo.
Deklaratat e qytetares për masën disiplinore të marrë pas pjesëmarrjes në protestë janë pretendime të bëra prej saj dhe nuk janë konfirmuar nga institucioni ku ajo deklaron se punon.
Lini një Përgjigje