TAGS-AT E JAVËS

Sport 4 Korrik 2026, 21:09

Kanadaja “kapitullon” në pjesën e dytë, Maroku eliminon organizatorët e Botërorit dhe ‘fluturon’ në çerekfinale

Shkruar nga Pamfleti
Kanadaja “kapitullon” në pjesën e dytë, Maroku
Kombëtarja e Marokut

Maroku është çerekfinalisti i parë i këtij Botërori, pasi mposhti bindshëm Kanadanë me rezultatin 3-0 në ndeshjen e zhvilluar në "NRG Stadium" të Houstonit.

Kanadezët e nisën më mirë sfidën dhe krijuan rastin e parë të rrezikshëm në minutën e 10-të, kur Tanitolua Oluaseji u ndal nga një pritje vendimtare e portierit Bono.

Në minutën e 22-të, Maroku u përball me një goditje të rëndë, pasi Ismael Saibari u detyrua të largohej nga fusha për shkak të një dëmtimi.

Pjesa e parë u karakterizua nga shumë ndërhyrje të forta dhe tension në fushë. Në minutën e 40-të, pas një përplasjeje mes Ashraf Hakimit dhe Rishi Lariea, të dy futbollistët u ndëshkuan me karton të verdhë. Në total, arbitri akordoi gjashtë kartonë të verdhë gjatë 45 minutave të para, ndërsa ekipet shkuan në pushim me rezultatin 0-0.

Maroku u rikthye shumë më agresiv në pjesën e dytë dhe zhbllokoi sfidën në minutën e 50-të. Azedin Ounahi realizoi një gol të bukur me të djathtën nga hyrja e zonës, duke finalizuar asistin e Ashraf Hakimit pas një goditjeje dënimi.

Kanadaja pati një mundësi për të barazuar në minutën e 76-të, por goditja e dënimit e Xhonatan Devid nuk solli rrezik për portën marokene.

Dhjetë minuta nga fundi, Maroku goditi sërish. Ounahi kompletoi dopietën personale në minutën e 82-të, duke finalizuar një kundërsulm të shpejtë pas pasimit të Brahim Diaz.

Në minutën e 85-të, Sofian Rahimi ishte shumë pranë golit të tretë, por goditja e tij me kokë u ndal nga traversa. Sulmuesi maroken gjeti rrugën e rrjetës në minutat shtesë, kur shfrytëzoi një tjetër asist të Brahim Diaz për të vulosur fitoren 3-0.

Me këtë triumf, Maroku siguron kalimin në çerekfinale, ku do të përballet me fituesin e sfidës mes Paraguajit dhe Francës.

kanadaja maroku kupa e botës

Lini një Përgjigje