Seanca e rradhës në GJKKO lidhur me dosjen Partizani, ku të pandehur janë edhe ish-Kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, do të mbahet më 20 korrik, ora 11:00.
Në këtë seancë pritet të dëshmojnë ish-Presidenti, Bamir Topi, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ish-drejtori i klubit Partizani, Isa Tare, por edhe Paro Laçi.
SPAK ka insistuar që të marrë dëshminë e Isa Tares, edhe pse nga familjarë të tij pretendohet se ai vuan nga demenca. Por për SPAK nuk ka një akt që vërteton se Isa Tares i është hequr e drejta e për të vepruar (dmth i paaftë për shkak te sëmundjes). Në këto kushte SPAK ka kërkuar nga GJKKO që të ripërsërisë thirrjen.
Ndërkohë Paro Laçi, ish-drejtues i Klubit Partizani, në deklarata publike ka akuzuar Sali Berishën dhe familjarë të tij se e kanë grabitur klubin. Nuk dihet nëse Laçi do i qëndrojë ose jo akuzave publike edhe në sallën e gjyqit, apo se çfarë qëndrimi do të mbajë në raport me çështjen. Ndër personazhet që kanë dëshmuar në GJKKO janë ish-ministrat Ylli Pango dhe Gazment Oketa, që me deklarimet e tyre janë munduar të justifikojnë çdo veprim që e konsiderojnë të ligjshëm, duke shmangur ‘pistën’ e presioneve.
Lini një Përgjigje