
Ndryshe nga aktivitetet e zhvilluara në qytete të tjera, Rama u shfaq i veshur me një bluzë me motive flamingosh.
Kryeministri Edi Rama mori pjesë në Shkodër në festimet për 35-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste në këtë degë, por ajo që tërhoqi më shumë vëmendjen ishte veshja e tij.
Ndryshe nga takimet e tjera politike të zhvilluara gjatë ditëve të fundit, Rama u shfaq i veshur me një bluzë me motive flamingosh, shpendët simbol të Lagunës së Nartës, zonë që ndodhet në qendër të debateve për shkak të investimeve.
Zgjedhja e kësaj veshjeje është një mesazh i qëllimshëm i kryeministrit ndaj protestave që po zhvillohen kundër tij. Këto protesta janë identifikuar shpesh në rrjetet sociale dhe nga vetë aktivistët me emërtimin “Revolucioni Flamingo”, duke e kthyer flamingon në simbol të kundërshtimit ndaj ndërhyrjeve në ekosistemin e Nartës.
Kjo skemë, vjen pasi dje kryeministri imitoi disa vajza të njohura të rrjeteve sociale që kanë mbështetur protestën, duke përdorur gjeste, mimika dhe spërdredhje që më shumë i ngjanin një skeçi humoristik.
Ndërkohë, Rama u prit sot në Shkodër me protesta. Protestuesit mbanin pankarta kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec të Vlorës, kundër projektit turistik të biznesmenit Bashkim Ulaj në zonën e Rrjollit, si dhe pankarta me mesazhe “në mbrojtje të familjes”.
Prania e protestës dhe zgjedhja e Ramës për t’u shfaqur me një bluzë me flamingo, simbol i lidhur së fundmi me kundërshtimet ndaj projektit në Nartë, i kanë dhënë edhe më shumë ngarkesë politike paraqitjes së kryeministrit në Shkodër.
Lini një Përgjigje