Nënkryetarja e Kuvendit, Klodiana Spahiu, ka deklaruar se kryeministri Edi Rama nuk do të japë dorëheqjen, pavarësisht kërkesave të protestuesve që prej 37 ditësh zhvillojnë tubime para Kryeministrisë.
E ftuar në emisionin "Off the Record" në A2 CNN, Spahiu u shpreh se Rama ka marrë një mandat katërvjeçar nga qytetarët dhe do ta përmbushë atë.
"Unë e kuptoj, për shembull, që avokati (Indrit Sefa) thotë se Edi Rama duhet të dorëhiqet sot. Por edhe unë i them avokatit që Edi Rama e ka marrë mandatin për katër vjet dhe nuk ka për t'u tërhequr, se e kanë mandatuar 850 mijë njerëz, që i kanë besuar ta vazhdojë për katër vjet," u shpreh Spahiu.
Ajo theksoi se Partia Socialiste ka detyrimin të qeverisë gjatë gjithë mandatit të marrë nga qytetarët, ndërsa komentoi edhe protestat që po zhvillohen në vend.
Sipas Spahiut, protestat kanë vendosur një standard të ri të reagimit qytetar, por shtoi se një pjesë e pakënaqësive kanë ardhur si pasojë e mungesës së informacionit mbi projektin që u bë shkak për nisjen e tyre.
"Partia Socialiste është mandatuar për të qeverisur këto katër vite. Ne kemi një detyrë shumë të rëndësishme. Këto protesta kanë vendosur një standard të ri, ashtu siç nisën, për mbrojtjen e mjedisit. Tani, mua të paktën më bën të mendoj në një mendje të ftohtë dhe të kthjellët, që në momentin që të rinjtë, të rejat, qytetarët menduan që aty po bëhet një projekt, aty po bëhet një investim, aty Shqipëria po shitet, pra gjithçka e krijuar nga një dizinformim, ishin padyshim edhe socialistë që me shumë të drejtë dolën në protestë për të parë ku është shitur, ku është dhënë projekti, ku është projekti gati, kur po ndërtohet. Pavarësisht se ai mund të jetë një investim shumë i mirë për Shqipërinë, në momentin e parë që rinia nuk ka informacion, padyshim ai do të ishte reagimi, dhe jo vetëm i rinisë," deklaroi Spahiu.
Ndërsa argumenti i zonjës është korrekt, ai nuk është i saktë pasi shumë gjëra kanë dalë në pah që e ndryshojnë besueshmërinë e Efendisë edhe mes votuesve të majtë.