TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 6 Korrik 2026, 21:59

Protestuesit marshojnë drejt Drejtorisë së Policisë, revolta vijon në rrugët e Tiranës

Shkruar nga Pamfleti
Protestuesit marshojnë drejt Drejtorisë së Policisë, revolta
Vijon marshimi

Pas përfundimit të fjalimeve para Kryeministrisë, protestuesit kanë nisur marshimin e tyre të përnatshëm në rrugët e Tiranës.

Këtë herë, mijëra qytetarë janë drejtuar drejt Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në një tjetër akt simbolik të protestës, që vjen si shenjë revolte ndaj arrestimeve të kryera gjatë përplasjeve mes protestuesve dhe policisë në protestën e 2 korrikut para Kuvendit.

Përgjatë marshimit, qytetarët kanë vijuar me thirrjet "Rama ik", "Rama jepe dorëheqjen", "Ju erdhi fundi", "Rama në burg, Berisha në burg", "Revolucion" dhe "Atdheu është i yni", ndërsa kolona e protestuesve ka përshkuar rrugët kryesore të kryeqytetit.

Marshimi drejt Drejtorisë së Policisë vjen një ditë pasi Gjykata vendosi lirimin e të gjithë protestuesve të arrestuar pas tensioneve të javës së kaluar. Për një pjesë të tyre u caktua masa e sigurisë "detyrim paraqitjeje", ndërsa për dy protestues u vendos "arrest shtëpie".

Megjithatë, organizatorët kanë deklaruar se përgjegjësia për ndërhyrjen e policisë nuk është mbyllur me lirimin e protestuesve dhe kanë kërkuar hetim për mënyrën e menaxhimit të protestës së 2 korrikut.

Marshimi i sotëm është pjesë e protestës së ditës së 37-të, e cila vijon çdo mbrëmje me tubime dhe lëvizje në pika të ndryshme të kryeqytetit, ndërsa organizatorët kanë bërë të ditur se protesta do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

marshimi protesta

Lini një Përgjigje