TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet21 Korrik 2026, 19:42

Për të 52-ën ditë radhazi, qytetarët sërish në shesh kundër Ramës

Shkruar nga Pamfleti
Për të 52-ën ditë radhazi, qytetarët sërish
Pamje nga protestat

Protesta kundër qeverisë hyn në ditën e 52-të, me qytetarët që përsërisin kërkesën për largimin e kabinetit Rama dhe anulimin e ligjeve që, sipas tyre, favorizojnë investimet pa transparencë…

Për të 52-ën ditë radhazi, qytetarët u mblodhën sërish në Tiranë për të protestuar kundër qeverisë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e kabinetit qeveritar.

Ashtu si në protestat e mëparshme, pjesëmarrësit u grumbulluan në sheshin "Skënderbej" dhe marshuan drejt Kryeministrisë, ku mbajtën fjalime dhe përsëritën thirrjet kundër qeverisë dhe gjithë klasës politike.

Më pas, ata vijuan marshimin në rrugët e kryeqytetit, duke brohoritur slogane si: "Edi Rama, jep dorëheqjen", "Poshtë patronazhistët", "Parlament analfabet", "Shqipëria kërkon revolucion", "Dorëheqje", "Rama ik, Berisha ik", "Shqipëria e shqiptarëve, jo e pushtetarëve", "Edi Rama, o legen, gjithë Shqipëria të urren", "Pa rini nuk ka Shqipëri", "Rama, SPAK You" dhe "Shqipëria nuk është në shitje".

Organizatorët kanë bërë të ditur se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim, duke theksuar se kërkesa e tyre mbetet e pandryshuar: dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.

Lëvizja qytetare nisi si një reagim kundër projektit të investimit prej 4 miliardë eurosh në zonën e Zvërnecit. Me kalimin e ditëve, protestuesit kanë zgjeruar kauzën e tyre, duke artikuluar pesë kërkesa kryesore drejtuar qeverisë.

Konkretisht, ata kërkojnë: dorëheqjen e qeverisë; shfuqizimin e ligjit për statusin e investitorëve strategjikë; shfuqizimin e "Paketës së Maleve"; anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura; si dhe anulimin e ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore.

 

dita e 52-te e protestave protestat kunder rames

Lini një Përgjigje