
Gazetari Aleksandër Çipa ka debatuar me deputeten socialiste Anila Denaj. Teksa kanë folur për situatën aktuale në vend, Çipa u shpreh se protesta po shënon lindjen e një opozite të re qytetare, ndërsa akuzoi qeverinë se nuk po e lexon siç duhet këtë zhvillim.
Nga ana tjetër, Denaj mbrojti rolin e institucioneve, duke theksuar se çdo kërkesë duhet të trajtohet përmes kanaleve zyrtare dhe komisioneve parlamentare.
"Jemi para lindjes së një opozite të re. Nuk është opozitë formale, sepse nuk ka përfaqësues, por ju nuk e konsideroni si të tillë dhe ky është një problem serioz. Kjo protestë është kaq e mençur nga pikëpamja e korrektesës qytetare, saqë nuk po vlerësohet dhe nuk po merr një përgjigje me të njëjtën korrektesë. Këtu duhet reflektim politik dhe institucional, sepse këtë nuk e zgjidh dot një individ i vetëm," deklaroi Çipa për "A2 CNN".
Në përgjigje, deputetja socialiste Anila Denaj theksoi se institucionet mbeten rruga e vetme për trajtimin e shqetësimeve të ngritura nga qytetarët dhe se debatet duhet të kanalizohen në mekanizmat e parashikuar nga Kushtetuta.
"Unë nuk jam duke mbrojtur thjesht kryeministrin, por legjitimitetin institucional dhe instrumentet që parashikon Kushtetuta. Çështjet duhet të kanalizohen në institucionet përkatëse, në mënyrë që të marrin përgjigje konkrete dhe të mos mbeten të përgjithshme apo të keqpërdoren politikisht," u shpreh Denaj.
Gjatë debatit, Denaj u ndal edhe te projekti në Zvërnec, duke sqaruar se raporti mjedisor ende nuk është përfunduar dhe se ai do të bëhet pjesë e diskutimit publik sapo të dorëzohet.
"Pyetja kryesore ishte nëse projekti ka një raport mjedisor. Për momentin përgjigjja është jo, sepse ai është ende duke u përgatitur. Kur të përfundojë, për mendimin tim duhet të bëhet publik. Edhe në pronën private nuk mund të ndërhyhet duke dëmtuar ekosistemin pa një raport të plotë mjedisor," tha Denaj.
Lini një Përgjigje