
Jo gjithmonë fituesit janë ata që mbeten më gjatë në kujtesën e tifozëve. Historia e Kupës së Botës njeh skuadra të jashtëzakonshme që, pavarësisht futbollit spektakolar dhe brezave të artë të lojtarëve, nuk arritën të fitonin trofeun më prestigjioz të futbollit. Megjithatë, trashëgimia e tyre vazhdon të konsiderohet ndër më të mëdhatë që ka parë ndonjëherë ky sport.
5. Portugalia – Botërori 1966
Portugalia e vitit 1966 ishte një nga surprizat më të mëdha të futbollit botëror. Me një brez të udhëhequr nga legjenda Eusebio dhe me bazën e skuadrës së famshme të Benfikës, portugezët zhvilluan një turne të jashtëzakonshëm.
Në atë Botëror, Portugalia realizoi 17 gola, më shumë se çdo kombëtare tjetër, ndërsa Eusebio u shpall golashënuesi më i mirë me nëntë gola. Pas fitoreve ndaj Brazilit dhe Koresë së Veriut, ku përmbysi një disavantazh prej 0-3 në 5-3, Portugalia u ndal vetëm në gjysmëfinale nga Anglia, që më pas fitoi titullin.
Eusebio e cilësoi gjithmonë humbjen ndaj anglezëve si zhgënjimin më të madh të karrierës së tij.
4. Austria – Botërori 1934
Austria e viteve '30 revolucionarizoi futbollin me të ashtuquajturin "Wunderteam" ose "Skuadra e Mrekullive". E drejtuar nga vizionari Hugo Meisl, ajo solli një stil loje të bazuar te qarkullimi i topit, lëvizja e vazhdueshme dhe superioriteti teknik.
Lideri i ekipit ishte Matias Sindelar, një nga futbollistët më të talentuar të kohës. Pas një serie prej 14 ndeshjesh pa humbje, Austria shkoi si favorite në Botërorin e vitit 1934, por u eliminua nga Italia në gjysmëfinale, në një sfidë që mbeti e diskutueshme për vendimet arbitrare.
Pak vite më vonë, pas aneksimit të Austrisë nga Gjermania naziste, "Wunderteam" u shpërbë, ndërsa Sindelar vdiq në rrethana që edhe sot mbeten të paqarta.
3. Brazili – Botërori 1982
Edhe pse nuk fitoi Kupën e Botës, Brazili i drejtuar nga Tele Santana konsiderohet një nga skuadrat më spektakolare në historinë e futbollit.
Me emra si Ziko, Sokrates, Falkao dhe Çerezo, brazilianët mahnitën botën me filozofinë "Joga Bonito", duke kombinuar rezultatin me futbollin artistik. Ata fituan të gjitha ndeshjet e fazës së parë dhe më pas mposhtën edhe Argjentinën kampione në fuqi.
Megjithatë, në sfidën vendimtare kundër Italisë, ku u mjaftonte edhe një barazim, Brazili u eliminua pas një prej ndeshjeve më të famshme në historinë e Botërorëve. Pavarësisht dështimit, skuadra u prit si hero në atdhe.
2. Holanda – Botërori 1974
Holanda e Johan Krojf dhe Rinus Mishels ndryshoi përgjithmonë mënyrën se si luhej futbolli. Koncepti i "Futbollit Total" u bë simbol i revolucionit taktik të viteve '70.
Në Gjermani, holandezët dominuan kundërshtarët, duke mposhtur Argjentinën, Brazilin dhe Gjermaninë Lindore, ndërsa Krojf ishte figura qendrore e turneut.
Megjithatë, në finale ndaj Gjermanisë Perëndimore, Holanda nuk arriti të ruante epërsinë fillestare dhe u mposht me rezultatin 2-1. Katër vite më vonë humbi edhe finalen e Botërorit 1978, duke mbetur një nga kombëtaret më të mëdha pa një titull botëror.
1. Hungaria – Botërori 1954
Në krye të kësaj liste renditet Hungaria legjendare e viteve '50, skuadër që shumë historianë e konsiderojnë ende si më të mirën që nuk fitoi kurrë Kupën e Botës.
E udhëhequr nga Ferenc Pushkash, Sandor Koçsis dhe Zoltan Çzibor, "Skuadra e Artë" dominoi futbollin ndërkombëtar për katër vite, duke mos humbur asnjë ndeshje zyrtare mes viteve 1950 dhe 1954.
Në Botërorin e Zvicrës, Hungaria shënoi plot 27 gola, eliminoi Brazilin dhe Uruguain dhe shkoi si favorite absolute në finale. Megjithatë, ndonëse krijoi epërsi 2-0 që në minutat e para, u përmbys 3-2 nga Gjermania Perëndimore në atë që historia e njeh si "Mrekullia e Bernës".
Kjo humbje shënoi fillimin e fundit të një prej skuadrave më të mëdha të të gjitha kohërave. Pas Revolucionit Hungarez të vitit 1956, shumë prej yjeve të ekipit nuk u kthyen më në vendlindje, ndërsa brezi i artë u shpërbë përgjithmonë.
Edhe pse nuk fituan trofeun më të rëndësishëm të futbollit, këto pesë kombëtare mbeten simbol i futbollit spektakolar dhe i brezave që ndryshuan historinë e lojës. Trashëgimia e tyre vazhdon të frymëzojë tifozë dhe futbollistë në mbarë botën.
Lini një Përgjigje