Juristi Ylli Manjani ka deklaruar se zhvillimet e fundit politike në vend i kanë kujtuar romanin "Jam Mysliman" të shkrimtarit Ben Blushi, duke thënë se autori e kishte "parashikuar" në mënyrë profetike situatën që po zhvillohet sot.
I ftuar në Euronews Albania, Manjani tha se, ashtu si në librin e Blushit, gjithçka ka nisur nga një shkak në dukje i vogël, duke ironizuar me shprehjen se sot "duan të heqin Skënderbeun e Elisës".
"Më ka ardhur në mendje këto kohë profecia e mikut tim Ben Blushi, i cili në librin e tij të fundit 'Jam Mysliman' përshkruan në mënyrë profetike këtë që po ndodh, se si për një synetllëk njerëzit mblidhen në Tiranë për të hequr bustin e Skënderbeut.
Është Rama, është Skënderbeu dhe këta duan të heqin 'Skënderbeun e Elisës'. Janë të lidhura gjërat. Për një synetllëk, pra, njerëzit nisen nga një gjë e kotë", u shpreh Manjani.
Sa i përket thirrjeve për revolucion, juristi mbajti një qëndrim kritik, duke deklaruar se revolucioni është një koncept që i përket ekstremit të majtë.
"Ju e dini alergjinë që kam ndaj revolucioneve dhe ata që flasin për revolucion janë ekstremistë të majtë dhe komunistë. Këta që dalin me logo revolucionare të bëjnë që dështimi i Edi Ramës të duket si një lule", tha ai.
Manjani u ndal edhe te Reforma në Drejtësi, të cilën e cilësoi si revolucionin më të dështuar në shtetin shqiptar.
"Unë mendoj se ne kemi bërë një revolucion të madh që quhet 'Reforma në Drejtësi', një revolucion antishtet dhe i duartrokitur nga turma. Kemi ndërtuar një sistem politik për të goditur shtetin", deklaroi juristi.
Lini një Përgjigje