
Qeveria ka vendosur të ndërpresë funksionimin e Bordit të Transparencës, mekanizmit të ngritur për monitorimin dhe përcaktimin e çmimeve të karburanteve në vend.
Vendimi u mor gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, ndërsa autoritetet argumentojnë se tregu i hidrokarbureve është kthyer në normalitet pas stabilizimit të çmimeve në bursat ndërkombëtare dhe zhvillimeve të fundit gjeopolitike.
Sipas qeverisë, gjatë javëve të fundit është vënë re një rënie graduale e çmimeve të karburanteve, ndërsa situata në Lindjen e Mesme është qetësuar pas arritjes së marrëveshjeve që kanë reduktuar pasiguritë në tregjet globale të energjisë.
“Një tjetër vendim që miratuam lidhet me përfundimin e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve. Për këtë arsye, do të ndërpresim funksionimin e Bordit të Transparencës. Kanë qenë muaj me luhatje të vazhdueshme të çmimeve të karburanteve.
Në fakt prej më shumë se dy javësh çmimi ka ardhur duke u reduktuar, situata në Lindjen e Mesme tashmë ka më pak paqartësi. Kjo është edhe arsyeja pse vendosëm ta pushojmë Bordin. Do të jemi shumë të kujdesshëm të monitorojmë lëvizjet e përditshme të çmimeve”, tha ministrja Ibrahimaj.
Bordi i Transparencës u krijua për të monitoruar luhatjet e çmimeve dhe për të vendosur tavanet e shitjes së karburanteve në periudha me paqëndrueshmëri të lartë në treg.
Njoftimi i fundit i Bordit u publikua më 17 qershor, kur u vendos që nafta të tregtohej me 176 lekë për litër, ndërsa benzina me 166 lekë për litër.
Me vendimin e ri, çmimet e karburanteve do të vijojnë të përcaktohen nga mekanizmat e tregut, pa ndërhyrjen e Bordit të Transparencës.
Lini një Përgjigje