TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet29 Qershor 2026, 07:40

Refleksionet e historianit: Omer Nishani, propozoi që president i ardhshëm i Frontit të ishte Enver Hoxha

Shkruar nga Pamfleti

Refleksionet e historianit: Omer Nishani, propozoi që president i

Gjatë viteve të sundimit komunist në Shqipëri, Partia Komuniste drejtoi vendin, nën maskën e Frontit Demokratik të Shqipërisë, i cili ishte vazhdues i Frontit Nacional Çlirimtar, i lindur ky në vitin 1942 në Konferencës e Pezës. Në të gjitha zgjedhjet për Kuvendin Popullor, Partia Komuniste e Shqipërisë (pas vitit 1948 Partia e Punës) u paraqit si udhëheqëse e koalicionit antifashist që quhej Fronti Demokratik, në krye të së cilit, pas vitit 1945 e deri në vitin 1989, u vu sekretari i I-rë i PPSH‑së. Duke qenë se Fronti ishte një “emër i madh”, ose më mirë të themi, një maskim i madh për PKSH-në, historia e tij mbetet më tepër një histori e fshehur dhe e trajtuar sipas dëshirës së partisë që drejtoi vendin për mëse 50 vjet.

Çfarë ishte realisht mbledhja e Pezës, në vitin 1942?

Pikënisja e Frontit Nacional Çlirimtar është marrë mbledhja e Pezës, e quajtur rëndom, edhe si Konferenca e Pezës. Si edhe rastet e tjera, Partia e Punës ka falsifikuar tërë historinë e krijimit dhe zhvillimeve të tjera, në lidhje me këtë organizatë. E vërteta zë fill në muajt e parë të vitit 1942 dhe ka si personazh të parë, vëllain e Myslim Pezës, Shyqyrin. Ky i fundit, në shkurt 1942, pranoi kompromisin fashist, sipas së cilit, në Pezë, fuqia e vetme që do të vepronte për ruajtjen e rendit, do të ishte një grup i armatosur nën urdhrat e tij (Shyqyriut).

Myslimi nuk e pranoi këtë kompromis, por në fakt, ai përfitoi mjaft prej tij (shih letra e Koço Tashkos, drejtuar Kominternit në vjeshtë 1942, tek “Politikë antikombëtare e Enver Hoxhës, Plenumi i dytë i Beratit”, Tiranë 1995, faqe 191‑192). Në këtë mjedis të sigurt, u mbajt Konferenca e Pezës. Pjesëmarrës kryesorë në të, ishin Abaz Kupi, Myslim Peza, Haxhi Lleshi, Mustafa Xhani, Ndoc Çoba, Ramazan Jarani, Halim Begeja, Ismail Petrela, Skënder Muço, Azis Çami dhe Skënder Jegeni, ndërsa nga PKSH-ja morën pjesë; Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi, Koço Tashko, Enver Hoxha, Nako Spiru dhe Nexhmije Xhuglini (më vonë Hoxha). Kryetar i konferencës u zgjodh Ndoc Çoba dhe sekretar, Mustafa Gjinishi.

Në konferencë u diskutua organizimi i forcave në një luftë të përbashkët, kundër okupatorit, organizim ky që mori emrin më vonë, Fronti Nacional Çlirimtar. Të pranishmit hynë në debate në lidhje me simbolet komuniste, si ylli i kuq, etj, i cili nuk pranohej nga jo komunistët.

U miratua një rezolucion, në të cilin thuhej se përfaqësuesit e të gjitha tendencave nacionaliste, PKSH-së, Rinisë Komuniste, Rinisë Nacionaliste dhe Rinisë Femërore Popullore, miratonin deklaratën përkatëse, ku përkrahej koalicioni kundër Boshtit, akuzohej rëndë Mustafa Kruja dhe përkrahej lufta e atyre çetave që kishin luftuar deri ato momente, duke i dhënë rëndësi nga ana tjetër, çështjes së këshillave nacionalçlirimtare. (“Politikë antikombëtare e Enver Hoxhës¼.”, faqe 174 ‑ 179).

Konferenca zgjodhi Këshillin e Përgjithshëm Nacional, të përbërë nga Kamber Qafmolla (kryetar), Mustafa Gjinishi (sekretar), Ndoc Çoba, Myslim Peza, Abaz Kupi, Enver Hoxha, Ymer Dishnica (anëtarë). Pas menjanimit të Kamber Qafmollës, si drejtues i Frontit filloi të njihej Omer Nishani. Me këtë cilësi, ky i fundit, kryesoi edhe delegacionin e Frontit në mbledhjen e Mukjes, ndërsa Balli Kombëtar prihej nga Mit’hat Frashëri.

Transformimi i Frontit në një fasadë të Partisë Komuniste

Pas grisjes së marrëveshjes së Mukjes, në gusht 1943, në shtator 1943, PKSH i mbylli përfundimisht hesapet me ato që ajo i cilësonte si kundërshtarë politikë. Emisarët komunistë jugosllavë luajtën një rol kryesor, edhe pas marrëveshjes së Mukjes. Konferenca e Dytë Nacional Çlirimtare që u mbajt më 4 ‑ 9 shtator 1943, në Labinot të Elbasanit (e para quhej ajo që ishte mbajtur në Pezë, më 16 shtator 1942), trajtoi kryesisht çështjen e pushtetit dhe veçmas, atë të këshillave popullore, për të cilat u tha se ishin “i vetmi pushtet i popullit në Shqipëri”.

Po ashtu, qëllim kryesor të saj, konferenca pati denoncimin e marrëveshjes së Mukjes, e cila dëmtonte seriozisht interesat sllave në Shqipëri. Rolin kryesor këtu e patën Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha. Për rrjedhojë, u kopjua modeli jugosllav dhe u veprua sipas tij.

Më 26 nëntor 1942, Tito kishte organizuar në Bihaç të Bosnjes, Mbledhjen e Parë të Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar (AVNOJ), ku vendosi krijimin e Ushtrisë Nacional Çlirimtare Jugosllave. Këtu u parashikua për herë të parë se si do të ishte Jugosllavia e tretë. Nën shembullin e kësaj mbledhjeje, u mbajt në Labinot mbledhja në fjalë.

Konferenca e Labinotit zgjodhi Këshillin e Përgjithshëm Nacional Çlirimtar, të përbërë nga 62 anëtarë (nga 7 që ishte më parë) dhe ky një kryesi të përbërë nga 16 anëtarë. Kryesia që u vu në rolin e një presidence ilegale, përbëhej nga këto persona: Omer Nishani, Mustafa Xhani, Myslim Peza, Enver Hoxha, Kostë Boshnjaku, Ymer Dishnica, Ollga Plumbi, Liri Gega, Haxhi Lleshi, Fetah Ekmeçiu, Medar Shtylla, Nako Spiru, Sejfulla Malëshova, Ramadan Çitaku, Abaz Kupi dhe Spiro Moisiu (Enver Hoxha “Kur u hodhën themelet e Shqipërisë së re”, Tiranë 1984, faqe 329). Pas kësaj konferencë filloi lufta civile. Sekretariati i Frontit Nacional Çlirimtar përbëhej nga Omer Nishani (president), Koçi Xoxe, Sejfulla Malëshova, Medar Shtylla (n/presidentë), Nako Spiru (sekretar), Shefqet Beja (sekretari i përgjithshëm) (sipas “Bashkimi”, 7 gusht 1945).

Riorganizimi i Frontit, pas lufte, Omer Nishani ia le vendin Enver Hoxhës

Pas lufte, roli i Frontit ishte maska më e mirë për PKSH‑në, e cila nuk guxoi të dilte hapur si forcë udhëheqëse. Më 5 gusht 1945, u mbajt kongresi i I-rë Frontit, ku u shpall se organizata do të vazhdonte të ishte një forcë antifashiste. I pranishëm ishte ministri jugosllav në Tiranë, Velimir Stojniç. Të njëjtën ditë filloi edhe kongresi i Frontit Nacional Çlirimtar të Jugosllavisë, madje Koçi Xoxe propozoi që t’i dërgohej një telegram atyre, gjë që u pranua me kënaqësi e duartrokitje prej të pranishmëve (“Bashkimi” 7 gusht 1945), ndërsa u dha e plotë fjala e Titos në këtë kongres (“Bashkimi” 8 gusht 1945). Një ditë më vonë, kryetari i Frontit Nacional-Çlirimtar Omer Nishani, propozoi që president i ardhshëm i Frontit të ishte Enver Hoxha (“Bashkimi” 9 gusht 1945).

Ky propozim u shoqërua me britma nga delegatët, aq sa në një çast, ato e morën në krahë Enver Hoxhën. Pas kësaj, Nishani brohoriti për Enver Hoxhën, Frontin, PKSH‑në, Rininë Antifashiste, Gruan Antifashiste, Sindikatat e popullin shqiptar. Duke zbuluar edhe planin e ardhshëm, Nishani tha; në “konformitet me dëshirën e shfaqur prej të gjithëve”: “Rroftë Republika Demokratike shqiptare!”. Sipas kësaj, u duk qartë që zgjedhjet që do të zhvilloheshin do të ishin krejt kot, sepse tashmë edhe forma e regjimit ishte vendosur.

Më 10 gusht 1946, gazeta “Bashkimi” doli me logon “organ i Frontit Demokratik”, siç do të ishte emri i ri i organizatës këtej e tutje. Pas kësaj date u paraqit një program prej 7 pikash, që kishte të bënte me realizimin e unitetit të të gjithë popullit, mbrojtjen e pavarësisë e sovranitetit, përkrahjen e pushtetit të ri popullor, organizimin politik të popullit shqiptar, reforma të gjera ekonomike e sociale dhe bashkëpunim ballkanik e më gjerë, për të forcuar linjën antifashiste.

Në sekretariatin e Frontit u zgjodhën:

Gjen ‑ kol. Enver Hoxha ‑ president
Gjen ‑ leit. Koçi Xoxe ‑ n/president
 Medar Shtylla ‑ n/president
Shefqet Beja ‑ n/president
Sejfulla Malëshova ‑ sekretar i përgjithshëm
Behar Shtylla ‑ sekretar
Fadil Paçrami ‑ anëtar
Kolë Kuqali ‑ anëtar
Selaudin Toto ‑ anëtar
Nga këta, u shpallën tradhtarë në kohë të ndryshme, Koçi Xoxe, Shefqet Beja, Sejfulla Malëshova, Selaudin Toto, Kolë Kuqali dhe Fadil Paçrami. Mbetën “besnikë” vetëm Enver Hoxha dhe Medar Shtylla. Madje 4 prej “tradhtarëve” u dënuan me vdekje.

Në Komitetin Ekzekutiv, veç anëtarëve të sekretariatit, ishin zgjedhur edhe:
‑ Gjen. maj. Bedri Spahiu
‑ Ymer Dishnica
‑ Nako Spiru
‑ Manol Konomi
‑ Kol. Kristo Themelko
‑ Naxhije Dume
‑ Pandi Kristo
‑ Dom Luigj Pici
‑ Siri Shapllo
‑ Gjergj Kokoshi
‑ Abdyl Këllezi

Është rast unikal që të gjithë këta u shpallën tradhtarë, duke dhënë edhe shembullin më tipik për vitet e regjimit komunist. Në rezolucionin e Frontit të mbledhjes në fjalë, flitej edhe për Kuvendin Themeltar, si dhe vlerësohej njohja e qeverisë komuniste të Shqipërisë nga ajo jugosllave. Më 9 prill 1946, në mbledhjen e II-të të Këshillit të Përgjithshëm të Frontit, u miratua statuti dhe rregullorja e Frontit.

Për shkak se kishin filluar devijimet dhe heqjet e para, u riformulua Sekretariati i këtij të fundit, sipas kësaj përbërjeje: Enver Hoxha ‑ president, Koçi Xoxe ‑ n/president, Medar Shtylla ‑ n/president, Hysni Kapo ‑ sekretar i përgjithshëm, Tuk Jakova, Gogo Nushi, Gaqo Tashko, Liri Belishova. Nga këta u shpallën “tradhtarë” të tjerë, edhe Tuk Jakova, edhe Liri Belishova.

Ndërsa Komiteti Ekzekutiv (ku bënin pjesë edhe anëtarët e sekretariatit) u riformulua, si vijon: Nako Spiru, Pandi Kristo, Kristo Themelko, Naxhije Dume, Bedri Spahiu, Fadil Paçrami, Abdyl Këllezi, Ymer Dishnica, Manol Konomi, Kadri Baboçi, Nexhmije Hoxha, Haxhi Lleshi, Kiço Ngjela (“Bashkimi” 25 shtator 1946).

Fjalën kryesore të mbledhjes në fjalë e mbajti Koçi Xoxe. Në statutin e miratuar me këtë rast, thuhej se Fronti Nacional Çlirimtar ishte “një organizatë politike masash, e cila grumbullon në gjirin e saj të gjitha organizatat dhe elementët demokratikë e antifashistë”, e cila kishte lindur dhe kishte “udhëhequr masat e popullit shqiptar në Luftën ANÇ dhe është sot fuqia kryesore për ruajtjen e fitoreve të LANÇ‑it dhe e ndërtimit të Shqipërisë së re”.

Këshilli i Përgjithshëm ishte organi udhëheqës, i cili zgjidhte Komitetin Ekzekutiv e ky, sekretariatin. Kongresi mbahej për çdo dy vjet dhe anëtarë të Frontit ishin të gjithë shtetasit. Në këtë mbledhje të Frontit u përjashtuan nga radhët e tij, Hysni Peja, Dom Luigj Pici, Kolë Rodhe, Suat Asllani e Dan Kaloshi, të cilët u akuzuan se kishin punuar kundër Frontit (“Bashkimi” 8 ‑ 10 prill 1945).

Nexhmije Hoxha, kryetarja e parafundit e Frontit

Enver Hoxha vazhdoi të ishte edhe kryetar i Fronit Demokratik deri në vitin 1985, kur edhe vdiq. Pasardhësi i tij, jo më kot, por në mënyrë simbolike dhe kuptimplote, ia kaloi këtë funksion, Nexhmije Hoxhës. Në pragun e ndryshimeve të mëdha demokratike, Nexhmije Hoxha dha dorëheqjen për “arsye moshe” dhe këtë detyrë e mori “i riu” gati 70-vjeçar, Adil Çarçani, i cili mbylli edhe historinë gati 50-vjeçare të atij që quhej, Fronti Demokratik i Shqipërisë./ Memorie.al 

Lini një Përgjigje