TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota29 Qershor 2026, 20:01

"Luftë civile" në Rusi, radhë kilometrike dhe përleshje në pikat e karburantit (Video)

Shkruar nga Pamfleti
"Luftë civile" në Rusi, radhë kilometrike dhe
Rusia në kaos

Rusia po përballet me mungesa serioze të karburanteve si pasojë e sulmeve ukrainase ndaj infrastrukturës energjetike, duke shkaktuar radhë kilometrike në pikat e karburantit dhe tensione mes qytetarëve.

Në internet po qarkullojnë video që tregojnë drejtues automjetesh të dëshpëruar, të cilët përfshihen në përleshje ndërsa presin në radhë për t'u furnizuar me karburant.

Pamjet, që variojnë nga debate verbale deri në përplasje fizike, vijnë nga rajone të ndryshme të Rusisë. Në Moskë, dy gra u konfliktuan për radhën, ku njëra kërcënoi tjetrën se do ta rrihte. Në qytetin Rjazan, dy burra u përleshën jashtë një pike karburanti, derisa një person i tretë ndërhyri për t'i ndarë.

Në një tjetër video, e filmuar në qytetin Serov, shihet një grua me hundë të përgjakur, pasi një burrë dyshohet se e goditi dhe sulmoi edhe partnerin e saj gjatë një konflikti për furnizimin me karburant.

Problemin e mungesës së karburanteve e pranoi edhe vetë presidenti rus Vladimir Putin, në një intervistë të publikuar të dielën nga Kremlini.

"Lidhur me sulmet ndaj infrastrukturës kritike në përgjithësi, dhe në veçanti ndaj infrastrukturës energjetike, sigurisht që këto sulme ndaj objekteve tona krijojnë probleme dhe kjo është e qartë," deklaroi Putin. "Aktualisht po përballemi me një mungesë të caktuar, por ajo nuk është kritike."

Autoritetet në Krime, e aneksuar nga Rusia, shpallën të premten gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të mungesës së karburanteve dhe ndërprerjeve të energjisë elektrike, të shkaktuara nga sulmet ukrainase ndaj zinxhirëve të furnizimit dhe objekteve të naftës.

Në të njëjtën intervistë, Putin tha gjithashtu se pret mbërritjen në Moskë të një delegacioni negociatorësh amerikanë për të diskutuar përfundimin e luftës në Ukrainë, sapo Uashingtoni të mos jetë më aq i përqendruar te Irani dhe konflikti në Lindjen e Mesme.

Kjo pjesë e intervistës me gazetarin rus Pavel Zarubin nuk u publikua nga Kremlini, por u raportua nga agjencitë ruse të lajmeve.

"Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë negociatat dhe të diskutojmë të gjitha detajet," shtoi Putin.

Ndërkohë, gjatë fundjavës, Ukraina ndërmori një valë masive sulmesh me 660 dronë në një operacion të koordinuar gjatë natës në territorin rus.

Sulmi përbën ofensivën më të madhe të Ukrainës me mjete ajrore pa pilot deri më tani, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm prej 556 dronësh, të regjistruar më 17 maj.

rusi nafte

Lini një Përgjigje