Shkolla 9-vjeçare “Sulejman Rrançi Mengel”, ka reaguar për ndarjen nga jeta të nxënësit të tyre 7-vjeçar i cili u përplas për vdekje nga regjisori Petri Bozo.
Shkolla thekson se kjo ngjarje ka lënë pas një dhimbje të madhe dhe se një engjëll u largua padrejtësisht.
“Sot zemrat tona janë të thyera… Një engjëll i vogël, u largua padrejtësisht dhe shumë herët nga kjo botë, duke lënë pas një dhimbje që nuk përshkruhet me fjalë.
Në korridoret dhe klasat e shkollës sonë sot ndihet heshtja, mungesa e buzëqeshjes së tij të pafajshme dhe e hapave të vegjël që nuk do t’i dëgjojmë më.
Asgjë nuk është më njësoj. Është tepër e rëndë të pranosh humbjen e një fëmije… një jete që sapo kishte nisur të ëndërronte.
Dhimbja e familjes së tij është dhimbja e të gjithëve ne. Në emër të gjithë stafit të shkollës, përulemi me dhimbje para kësaj humbjeje të madhe dhe i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes.
Lutemi që Zoti ta mbajë pranë engjëjve të Tij dhe t’u japë forcë njerëzve që e deshën aq shumë. U prehsh në paqe, ti do të mbetesh përgjithmonë pjesë e zemrave tona”, shkruan shkolla.
Regjisori Petri Bozo është arrestuar pas aksidentit tragjik të ndodhur në Elbasan, ku humbi jetën një fëmijë 7-vjeçar pranë zonës së shkollës.
Në dëshminë e parë të dhënë para uniformave blu, Bozo ka deklaruar se po lëvizte me shpejtësi të ulët për shkak të kufizuesve të shpejtësisë në rrugë.
Sipas tij, në momentin e ngjarjes kishte përshëndetur një efektiv policie që ndodhej pranë zonës dhe më pas ka ndjerë përplasjen.
Petri Bozo: Kam qenë me shpejtësi të ulët për shkak të kufizuesit të shpejtësisë, ‘policit të shtrirë’ në rrugë. Kam përshëndetur një oficer policie që ndodhej aty. Më pas kam goditur një objekt. Nuk e kam parë çfarë ka qenë, kam tentuar të devijoj kur ndjej përplasjen. Kur kam dalë kam parë fëmijën.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit që tronditi qytetin e Elbasanit.
Lini një Përgjigje