TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet26 Maj 2026, 11:56

UPDATE/ Edicioni Informativ, ora 12:00

Shkruar nga Pamfleti

UPDATE/ Edicioni Informativ, ora 12:00

Lexues të Pamfleti ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku mes të tjerash veçojmë:

Gjyqi në GJKKO ndaj Veliajt/ Kryebashkiaku mungon në seancë, dosja shqyrtohet nga trupa e re gjykuese

Në GJKKO po zhvillohet seanca e parë gjyqësore ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe 10 të pandehurve të tjerë, të cilët do të përballen me gjykim të zakonshëm. Trupa gjykuese që do të shqyrtojë dosjen e veçuar të Veliajt përbëhet nga kryesuesja Elsa Ulliri dhe anëtarët Flora Hajredini dhe Besmir Stroka.

Kërkesat e paraqitura më herët nga mbrojtja e Veliajt, të cilat janë rrëzuar nga trupa gjykuese e përbërë nga Ëngjëllushe Tahiri, Rudina Palloj dhe Alma Kodraliu, pritet t’i parashtrohen sërish trupës së re gjykuese. Mes tyre janë kërkesa për ndryshimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, zhvillimin live të seancës si dhe administrimin e të gjitha provave të përfshira në dosjen ndaj Erion Veliajt.

Në seancë janë të pranishëm edhe përfaqësues të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, në kuadër të monitorimit të procesit pas kërkesës së Veliajt lidhur me kafazin në sallën e gjyqit. Vetë Erion Veliaj nuk ndodhet i pranishëm në seancë.

Ndërtimet pa leje në Sarandë, 3 efektivë në pranga/ Në kërkim pronarët e ‘Copacabana’ dhe kryeinspektori i IMT

Detaje të reja janë zbardhur për operacionin e mbrëmjes së djeshme në Sarandë kundër ndërtimeve pa leje me urdhër të Prokurorisë ku janë lëshuar 12 masa sigurie, 4 për efektivë, 4 për zyrtarë të IMT-së Sarandë dhe 4 për biznesmenë.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) njofton se përveç Kristofor Shkrepës, në pranga kanë rënë edhe Kastriot Sotka, për të cilët është lëshuar masa ‘arrest me burg’ dhe Blerim Tafçiu në ‘arrest shtëpie’, të gjithë të akuzuar për veprën penale ‘Shpërdorim detyre’ kryer më shumë se një herë.

Ky operacion është vazhdim i atij të ndërmarrë më 15 maj në zonën bregdetare ku konstatua dhe u shemb beach-bari ‘Copacabana’ që çoi në shkarkimin e kupolës drejtuese të Komisariatit të Sarandës për shkak se kishin mbyllur sytë përballë paligjshmërisë në këmbim të ryshfeteve.

Masë sigurie është lëshuar dhe për pronarët e ‘Copacabana’ Arjola Dhrami Bajo dhe Xhaferr Bajon si dhe për pronarin e hotel ‘Oasis’ Alqi Papa, i cili është arrestuar. Në këtë hotel, Prokuroria ka sekuestruar një kat i dyshuar i ngritur pa leje mbi tarracën e hotelit 6-katësh në rrugën “Butrinti”, në lagjen nr.1 të qytetit bregdetar.
Masë sigurie është lëshuar dhe për kryeinspektorin e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) Eduart Veliu si dhe për efektivin Irakli Koçiaj.

Sjellim ndërmend se para disa ditësh, nga një operacion kundra ndërtimeve pa leje në Sarandë, u ndalua edhe shefi i Komisariatit Gëzim Bashllari.

NATO, Mesdheu dhe sulmet kibernetike/ Ministri grek i Mbrojtjes ‘zbërthen’ takimet në Tiranë me Edi Ramën

Ministri grek i Mbrojtjes, Nikos Dendias në një deklaratë në rrjetet sociale ka zbardhur detaje tjera pas vizitës së tij në Shqipëri, ku u takua me kryeministrin Edi Rama, homologun Ermal Nufi dhe Kryepeshkopin Joan.
Dendias bën me dije se ka diskutuar me Nufin për thellimin e marrëdhënieve në fushën e mbrojtjes dhe e ka ftuar për një vizitë në Athinë.
Ndërsa me Ramën, ministri grek thotë se diskutoi panoramën më të gjerë gjeopolitike dhe situatën në Mesdheun Lindor.

Edhe kryeministri Edi Rama dha një mesazh të shkurtër në profilin e tij në Facebook, pas takimit në Tiranë me ministrin grek të Mbrojtjes, Nikos Dendias.

Vizita e Nikos Dendias në Tiranë shënon rikthimin e palëve në bisedime për ndarjen e kufirit detar. Që prej rrëzimit nga Gjykata Kushtetuese e marrëveshjes së firmosur nga qeveria Berisha në Tiranë, çdo përpjekje tjetër e qeverive të kryeministrit Rama ka dështuar.

Fredi Beleri jep lajmin/ Së shpejti mbyllet traktati, Rama marrëveshje me Mitsotakis

Eurodeputeti Fredi Beleri, thotë se Shqipëria dhe Greqia synojnë të mbyllin traktatin e miqësisë brenda vitit dhe të dy palët po i negociojnë të gjitha çështjet.

“Kur dy shtete flasin, secili nga ato shtete vë në tavolinë pretendimet e veta dhe shqetësimet. Unë dëgjoj nga dy palët që po i negociojmë të gjitha dhe do mbyllim një traktat miqësie brenda këtij viti. Nuk kam asnjë arsye të dyshoj për deklaratat e tyre dhe si shtetas që e ndaj jetën mes dy shteteve, do isha shumë i lumtur të avanconin dhe dua të them që nuk është e vërtetë që me të majtën greke kanë qenë marrëdhëniet më të mira. Unë besoj që marrëdhëniet dhe marrëveshje të sakta janë firmosur me të djathtën greke. Edhe traktati i miqësisë ishte e djathta në qeveri kur u firmos. Ishte Stefanopullos”, tha eurodeputeti.

Beleri tha se ministri grek i Jashtëm dhe kryeministri Kyriakos Mitsotakis që udhëheqin politikën e jashtme greke ndaj Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor, kanë diskutuar në parlamentin grek për integrimin europian të rajonit dhe për avancimin e marrëdhënieve me Shqipërinë.

Për më shumë, klikoni në linkun e lajmeve të orës 12.00 

 

edicioni informativ pamfleti

Lini një Përgjigje