TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet16 Qershor 2026, 07:55

Sot seanca e parë në themel për Veliajn në GJKKO, kryebashkiaku refuzon qëndrimin në kafaz

Shkruar nga Pamfleti
Sot seanca e parë në themel për Veliajn në GJKKO,
Veliaj

Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) pritet të zhvillohet sot seanca e parë e gjykimit në themel ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, si dhe të pandehurve të tjerë në të njëjtën dosje që kanë zgjedhur të gjykohen me procedurë të zakonshme.

Seanca e fundit, e mbajtur më 10 qershor, u shty për shkak të mungesës së disa avokatëve mbrojtës. Në atë seancë mungoi edhe Veliaj, i cili e justifikoi mosparaqitjen me vendosjen e tij në kafazin e xhamit. Kryebashkiaku e ka cilësuar këtë masë si të paligjshme, antikushtetuese dhe diskriminuese.

Gjatë seancës së fundit, trupi gjykues i kërkoi prokurorit të çështjes, Ols Dado, që t’i vërë në dispozicion Veliajt, në ambientet e paraburgimit, mijëra faqe të tjera dokumentesh. Kryebashkiaku ka pretenduar vazhdimisht se nuk i janë dorëzuar të gjitha aktet hetimore të dosjes.

Një tjetër kërkesë e Veliajt, e cila vijon të mos pranohet nga gjykata, është transmetimi live i seancave gjyqësore. Për mediat, avokati i tij, Plarent Ndreca, deklaroi se i është drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor me një kërkesë për shpalljen të pavlefshme të nenit 14 të një udhëzimi të këtij institucioni. Sipas tij, ky nen po përdoret nga gjykatat për të kufizuar transparencën dhe për të mos lejuar transmetimin e seancave.

Lini një Përgjigje