
Protestuesit po marshojnë në drejtim të Policisë së Tiranës, atje ku dyshohet se janë shoqëruar disa nga qytetarët, mes të cilëve dhe Dritan Goxhaj, që u ndaluan dhunshëm nga uniformat blu, teksa po protestohej para Kuvendit të Shqipërisë.
Me thirrjet “lironi të arrestuarit”, protestuesit janë zhvendosur nga Parlamenti te Drejtoria Vendore e Policisë së Tiranës. Nuk dihet ende se sa persona janë shoqëruar nga policia lidhur me protestën e zhvilluar te Parlamenti, ku nuk kanë munguar edhe incidentet e vogla, përfshi goditjen me vezë të makinave të deputetëve dhe ministrave.

“Lironi protestuesit, lironi protestuesit”, janë thirrjet që një grup qytetarësh kanë hedhur në drejtim të Policisë, të cilën e kanë konsideruar si “një turp”.
"Mos na provokoni", ishte një tjetër thirrje e qytetarëve drejtuar policisë.
Ndërkohë nga policia ende nuk ka një informacion zyrtar lidhur me ndalimet, apo mbi numrin e personave që u shoqëruan.
Lini një Përgjigje