
Protestuesit e liruar janë pritur me duartrokitje dhe brohorima nga qytetarët që ndodheshin jashtë ambienteve të komisariatit...
Janë liruar disa nga protestuesit e arrestuar mesditën e sotme gjatë tubimit të mbajtur para Kuvendit. Ata janë mbajtur për më shumë se 3 orë në ambientet e Komisariatit nr.1, teksa dhjetëra protestues kanë qëndruar jashtë ambienteve të godinës së Policisë duke kërkuar lirimin e tyre. Protestuesit e liruar janë pritur me duartrokitje dhe brohorima nga qytetarët që ndodheshin jashtë ambienteve të komisariatit.
Dritan Gonxhaj, një nga protestuesit e arrestuar deklaroi se i ishte komunikuar nga policia, se arsyeja e ndalimit ishte për mosbindje të urdhrit të policisë. Ai shtoi gjithashtu se edhe protestuesit e tjerë pritet të lirohen spo të mbarojnë procedurat.
"Arsyeja e shoqërimit ishte pretendimi për kundërshtim të punonjësve të policisë, edhe pse ne nuk i kemi kundërshtuar. Ne kemi qenë gardh dhe u kemi bërë thirrje protestuesve të mos prekin punonjësit e policisë.
Trajtimi ndaj nesh ka qenë normal dhe nuk ka pasur asnjë problem. Kanë ardhur disa deputetë dhe na kanë pyetur për situatën.
Ne nuk pranuam të takonim Avokatin e Popullit, pasi për ne ai nuk përfaqëson popullin, sepse është votuar nga një Parlament që ne e konsiderojmë Parlament krimi. Për këtë arsye, ne kërkuam largimin e tij", tha ai.
Kujtojmë se protestuesit u arrestuan nga policia mesditën e sotme, pasi ata hodhën vezë në drejtim të disa deputetëve dhe makinave të tyre, ndërsa u tentua të kalohej edhe një gardh metalik, i vendosur nga forcat e rendit.
Lini një Përgjigje