Një program kombëtar për përgatitjen e bizneseve shqiptare për tregun europian do të nisë zbatimin në vjeshtë Nisma synon të ndihmojë sipërmarrjet në përballjen me kërkesat që sjell procesi i integrimit në Bashkimin Europian, përmes asistencës së ekspertëve dhe programeve të dedikuara.
Gjatë prezantimit të programit, kryeministri Edi Rama tha se bizneset përballen me një proces transformimi që lidhet me integrimin europian dhe se mbështetja do të ofrohet në bashkëpunim me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).
“Për t’iu gjendur pranë bizneseve në përballje me të ardhmen që po vjen me shpejtësi dhe në mënyrë të pandalshme që është integrimi në BE, jemi angazhuar me këtë program kombëtar që do ta mbështesim me ekspertizën e UNDP që do të angazhojë ekspertë të mirëinformuar dhe të mirëpërgatitur për të asistuar sipërmarrjen shqiptare. Na duhet të rrisim mbështetjen për sipërmarrjen sepse ky është sistemi i sipërmarrjes, zhvillimit ekonomik e social, ku pa sipërmarësin ka vetëm iluzione dhe humnera pas tyre. Duam që sipërmarrja e vogël dhe e mesme të ketë sot shansin që nëse ka kapacitetin e kurajës së mjaftueshme, e idesë së qartë për të nesërmen dhe vullnetit të domosdoshëm, të ketë mbështetjen tonë. Ajo do të materializohet me hapjen në ditët e ardhshme me programin “Dyfisho biznesin tënd”, në mbështetje të atyre që duan të ngjiten më lart”, tha Rama.
Sipas kryeministrit, programi do të jetë i aksesueshëm për kategori të ndryshme biznesesh, me synimin për t'u ofruar sipërmarrjeve më shumë mjete për t'u përshtatur me ndryshimet që shoqërojnë procesin e transformimit ekonomik.
Në kuadër të kësaj nisme, Ministria e Ekonomisë do të krijojë edhe një faqe të dedikuar në internet, përmes së cilës bizneset do të mund të informohen mbi programin dhe mundësitë që ai ofron.
“Ministria e Ekonomisë do të përgatisë një uebsajt të dedikuar për gjithë këtë program dhe për të mbajtur të informuara të gjitha sipërmarrjet”, u shpreh Rama.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, tha se do të vendoset në dispozicion një fond prej 250 milionë eurosh që bizneset të mund të marrin kredi.
ata qe kishin per ta bere, e kane bere, dhe keto jane budallalleqe per patronazhiste!