Rrjeti ndërkombëtar i gazetarëve investigativë OCCRP dhe portali serb KRIK kanë publikuar transkripte nga aplikacioni i koduar “Sky ECC”, të cilat, sipas tyre, zbulojnë një skandal të rëndë që përfshin ish-presidentin e Federatës së Futbollit të Serbisë (FSS), Slavisha Kokeza.
Sipas të dhënave policore të cituara në investigim, Kokeza dyshohet se organizoi një fushatë kërcënimesh ndaj ish-kapitenit të Mançester Junajtid dhe përfaqësueses së Serbisë, Nemanja Vidiç, si dhe ndaj disa ish-futbollistëve të tjerë të kombëtares.
Ngjarja, sipas OCCRP dhe KRIK, daton në nëntor të vitit 2020, pasi Serbia dështoi të kualifikohej në Kampionatin Evropian. Në atë kohë, Vidiç kritikoi ashpër drejtimin e Federatës së Futbollit të Serbisë, duke e cilësuar atë si "një sistem të kalbur dhe të korruptuar, ku menaxherët dhe drejtuesit përfitojnë në kurriz të sportit."
Investigimi pretendon se pas këtyre deklaratave, Kokeza u bind se Vidiç synonte të merrte drejtimin e Federatës dhe nisi kontakte me persona nga bota e krimit dhe drejtues të grupeve të tifozëve të Yllit të Kuq.
Sipas transkripteve të publikuara, Kokeza përdorte pseudonimin "Federer" në aplikacionin “Sky ECC”. Qëllimi, sipas mesazheve, ishte frikësimi i Vidiç në mënyrë që ai të tërhiqte kritikat publike dhe të hiqte dorë nga çdo ambicie për të drejtuar futbollin serb.
Në një prej mesazheve të cituara nga gazetarët, Kokeza thuhet se u ka dhënë bashkëpunëtorëve këtë udhëzim:
"I thuaj të qëndrojë larg aleancës. Nëse flet përsëri, do të shkojë në varreza."
Sipas investigimit, ai u kërkoi bashkëpunëtorëve të kërcënonin edhe familjen e Vidiç. Duke qenë se ish-futbollisti jetonte në Itali në atë periudhë, Kokeza thuhet se i kërkoi një bashkëpunëtori të afërt, të cilit në mesazhe i referohej si "kumbar", të gjente persona në Milano që do ta frikësonin.
Në një tjetër bisedë të publikuar, Kokeza citohet të ketë shkruar:
"Duhet t'u japim disa para, nëse është e mundur, për ta kërcënuar fizikisht, për ta trembur në mënyrë që ta vrasin."
Ndërsa bashkëbiseduesi i tij përgjigjet:
"Do ta shtrydhim fort që të ketë frikë dhe të heshtë. Që të mos i shkojë kurrë ndërmend të ngatërrohet më me Aleancën."
OCCRP dhe KRIK e paraqesin këtë çështje si një shembull të lidhjeve të pretenduara mes futbollit serb, politikës dhe krimit të organizuar. Sipas investigimit, Slavisha Kokeza kishte ardhur në krye të Federatës së Futbollit të Serbisë si një person i afërt dhe i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç.
Deri në publikimin e investigimit, nuk është bërë publik ndonjë reagim i Slavisha Kokezës lidhur me këto pretendime./"KRIK.rs", përshtati në shqip Pamfleti
Lini një Përgjigje