TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet22 Qershor 2026, 11:55

UPDATE/ Edicioni Informativ, ora 12:00

Shkruar nga Pamfleti

UPDATE/ Edicioni Informativ, ora 12:00

Lexues të “Pamfleti” ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku mes të tjerash veçojmë:

Incidenti me gazetarin gjatë protestës/ Kush janë dy personat që e sulmuan, kallëzimi në polici dhe denoncimet

Një incident ka ndodhur gjatë protestës së djeshme, dita e 22-të që disa mijëra qytetarë, kërkojnë largimin e Kryeministrit Edi Rama. Incidenti ka ndodhur në sheshin “Skënderbej”, ku sipas raportimeve dy persona kanë pasur një debat me gazetarin Osman Stafa, i cili është edhe një nga folësit në protestat që kanë hyrë në javën e katërt.

Stafa ka denoncuar një sulm fizik ndaj tij mbrëmjen e së dielës në qendër të Tiranës, duke deklaruar se ngjarja lidhet drejtpërdrejt me ushtrimin e detyrës së tij si gazetar dhe me angazhimin qytetar në mbështetje të protestës së zhvilluar në kryeqytet. Pas incidentit, Stafa u paraqit në Komisariatin nr. 3, ku depozitoi kallëzim ndaj dy personave, të cilët, sipas tij, e kanë ofenduar dhe lënduar fizikisht.

Gazetari rrëfeu detajet e ngjarjes, duke thënë se në momentin e incidentit ndodhej në shoqërinë e dy gazetarëve të huaj, një italian dhe një polake.

“Po marshonim për të kapur turmën. Dy persona na kanë prerë rrugën duke ofenduar dhe më kanë lënduar lehtë fizikisht, duke më cilësuar si një person që punën time nuk e bën mirë. Nuk kam reaguar ndaj këtij provokimi”, deklaroi Stafa.

Sipas tij, personat që e kanë përballur ishin të pakënaqur me raportimet dhe qëndrimet e tij publike lidhur me protestën.

“Ishin dy persona që ishin të shqetësuar për raportimet dhe mbështetjen që i kam dhënë protestës. E dinin që isha gazetar dhe erdhën duke më çjerrë me thonj”, tha ai.

Del raporti ‘konfidencial’/ Protestat të shkaktuara nga ‘pakënaqësi legjitime’

Një raport i shpërndarë nga qeveria shqiptare dhe i përpiluar nga kompania amerikane Blackbird AI - i cili hartëzon narrativat kundër projektit të Jared Kushner në Zvërnec dhe amplifikimin e tyre në rrjetet sociale, arrin në përfundimin se pakënaqësitë që ushqejnë protestën popullore kundër establishmentit janë të sinqerta.
Prej tre javësh, Shqipëria është përfshirë nga një valë protestash kundër projekteve për ndërtimin e resorteve turistike në Lagunën e Nartës dhe në ishullin e Sazanit, të dyja të lidhura me biznesmenin amerikan Jared Kushner, dhëndrin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

Protestat popullore, të cilat shpërthyen pas dhunës së ushtruar nga rojet private të sigurisë ndaj protestuesve në kantierin e resortit në Zvërnec në 30 maj, janë shndërruar në një lëvizje më të gjerë kundër establishmentit politik në Shqipëri, e vetëquajtur “Revolucioni i Flamingove”.

Mijëra qytetarë kanë zbritur çdo ditë në shesh në Tiranë, ndërsa dhjetëra tubime më të vogla janë zhvilluar në qytete të tjera të vendit dhe në diasporë.

Protestuesit kërkojnë anulimin e projekteve të mbështetura nga qeveria si investime strategjike në zona të mbrojtura mjedisore, si dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, të cilin e akuzojnë për një qeverisje të korruptuar, të shoqëruar nga një sërë skandalesh. Në mënyrë të ngjashme, ata mbajnë përgjegjës edhe kreun e opozitës, Sali Berisha, i cili po gjykohet nga SPAK për akuza korrupsioni dhe pastrimi parash. “Rama n’burg, Berisha n’burg” është kthyer në sloganin kryesor të protestës.

Pacolli rikthen njerëzit në aeroport/ Përplasje dhe tensione për kontrollin e projektit

Konflikti mes dy aksionerëve kryesorë të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, biznesmenëve Behgjet Pacolli dhe Valon Ademi, ka kaluar nga sallat e gjykatave në kantierin e ndërtimit, duke prodhuar skena tensioni dhe duke rrezikuar seriozisht fatin e një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore në vend.

Të hënën në mëngjes, punonjësit e kompanisë “Mabco Construction”, në pronësi të biznesmenit kosovar Behgjet Pacolli, janë rikthyer në kantierin e aeroportit në Vlorë për të rifilluar punimet, vetëm pak orë pasi vetë Pacolli kishte njoftuar publikisht se kompania e tij do të rikthehej në objekt pas vendimit të fundit të Gjykatës së Lartë.

Por rikthimi nuk ka kaluar pa incidente. Sipas informacioneve nga vendngjarja, punonjësit e “Mabco”-s dhe nënkontraktorët e saj janë përballur me rojet e sigurisë të cilat kanë tentuar t’u ndalojnë hyrjen në territorin e aeroportit.

Situata është tensionuar shpejt. Në kushtet e përplasjes verbale dhe fizike, punonjësit e kompanisë së Pacollit kanë hyrë me forcë në kantier, duke dëmtuar portën hyrëse. Më pas konflikti është zhvendosur pranë zyrave administrative, ku ata janë përplasur me përfaqësues dhe punonjës të kompanisë “2A Group”, të drejtuar nga biznesmeni Valon Ademi.

Burime pranë kantierit bëjnë me dije se punonjësit e “2A Group” janë larguar nga ambientet e zyrave pas hyrjes së grupit të “Mabco”-s, ndërsa situata ka mbetur e tensionuar për disa orë. Ngjarja shënon kulmin e një konflikti që prej muajsh po zhvillohet mes dy palëve për kontrollin dhe administrimin e projektit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.

Një ditë më parë, Behgjet Pacolli kishte njoftuar se rreth 200 punonjës të kompanisë së tij do të riktheheshin në kantier për të vijuar punimet e ndërprera.

Afera 'Partizani'/ Ish-ministri Ylli Pango shkon për të dëshmuar në GJKKO

Ish-ministri i Sporteve, Ylli Pango ka mbërritur në ambientet e Gjykatën e Posaçme (GJKKO).
Pango do të dëshmoj në seancën e radhës së gjyqit për aferën e privatizimit me urgjencë të ish-kompleksit “Partizani”.

Ylli Pango u emërua ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në mars të vitit 2007 dhe e mbajti këtë detyrë deri në pranverën e vitit 2009, në periudhën më intensive të privatizmit të ish klubit Partizani, proces që kishte nisur me intensitet që në 2005-n, vetëm 2 muaj pasi Berisha kishte ardhur në pushtet.

Në dosjen “Partizani”, roli i ish-ministrit Pango lidhet me ndryshimet ligjore të vitit 2008 për “Ligjin për Sportin”, të cilat i hapën rrugë privatizimit dhe ndryshimit të destinacionit të pronave të klubit.

Ligji për sportin parashikonte në atë kohë në nenin 31 të tij se “objektet sportive jepen me koncesion apo privatizohen, me kusht që të mos u ndryshojë destinacioni, në përputhje me ligjin nr. 7973, datë 26.7.1995 "Për koncesionet dhe pjesëmarjen e sektorit privat në shërbimet publike dhe infrastrukturë".
Kujtojmë se SPAK akuzon Berishën se ka ndikuar përmes ligjeve dhe akteve nënligjore në procedurën e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”, për të favorizuar dhëndrin e tij dhe përmes këtij të fundit është korruptuar.

Për më shumë, klikoni në linkun e lajmeve të orës 12.00

 

edicioni i lajmeve pamfleti

Lini një Përgjigje