TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet30 Qershor 2026, 18:04

UPDATE/ Edicioni informativ, ora 18:00

Shkruar nga Pamfleti

UPDATE/ Edicioni informativ, ora 18:00

Ju ftojmë të ndiqni Edicionin Informativ me zhvillimet kryesore deri në këtë orë të ditës, ku ndër të tjera veçojmë:

Protesta antiqeveritare hyri në ditën e saj të 31-të, duke rrethuar për pesë orë Kuvendin e Shqipërisë.

Tubimi u shoqërua me tensione, përplasje mes protestuesve dhe Policisë, hedhje vezësh ndaj deputetëve dhe disa arrestime, mes tyre edhe Dritan Goxhaj.

Brenda Kuvendit, mazhoranca dhe opozita shkëmbyen akuza të forta për protestat, ndërsa as Edi Rama dhe as Sali Berisha nuk ishin të pranishëm.

Kryeministri Rama reagoi duke i cilësuar protestat si një "shëmbëlltyrë të zezë", ndërsa ish-deputetja Marjana Koçeku zhvilloi takime në Parlamentin Europian për të paraqitur shqetësimet mbi situatën në Shqipëri.

Ndërkohë, protestat u rikthyen edhe në Rrjoll kundër projektit turistik të Bashkim Ulajt.

Në zhvillimet politike, Elisa Spiropali deklaroi se do ta sfidojë Edi Ramën brenda Partisë Socialiste me platformën "Shqipëria e Re".

KLSH dhe Turqia rikonfirmuan partneritetin për forcimin e transparencës dhe llogaridhënies institucionale.

Presidenti dekretoi ligjin për amnistinë penale, nga i cili përfitojnë 1.335 të dënuar, ndërsa 466 prej tyre pritet të lirohen menjëherë.

Ilir Meta shpjegoi edhe arsyet e ndërprerjes së bashkëpunimit me avokatin Idajet Cakrani.

Në kronikë, një aksident tragjik në autostradën Tiranë-Durrës la dy viktima dhe 15 të plagosur, mes tyre edhe fëmijë, pasi një furgon doli nga rruga dhe përfundoi në kanal.

Ndërkohë, dy punonjës të burgut "Jordan Misja", Zog Muhametaj dhe Pëllumb Vrana, humbën jetën pas problemeve të papritura shëndetësore gjatë shërbimit.

SPAK dërgoi në gjyq tetë persona për skemën e tjetërsimit të pronave në zonën Shijak–Kepi i Rodonit, duke sekuestruar pasuri me vlerë rreth 17 milionë euro.

Në Fier, GJKKO dënoi me 14 vite burg në mungesë kolumbianin Samir Rodriguez, i njohur si "kimisti" i laboratorit të kokainës në Frakull, ndërsa në polici u vetëdorëzua Marjaldo Nela, i kërkuar për vrasjen e Endri Goxhajt në Memaliaj.

Në arenën ndërkombëtare, autoritetet italiane arrestuan katër persona të dyshuar për atentatin me bombë ndaj gazetarit investigativ Sigfrido Ranucci, ndërsa Katari deklaroi se nuk janë planifikuar bisedime të nivelit të lartë mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit në Doha.

edicioni informativ lajme

Lini një Përgjigje