
Protesta e 39-të kundër kryeministrit Edi Rama u shoqërua jo vetëm me thirrje dhe fjalime, por edhe me pankarta që tërhoqën vëmendjen për mesazhet e tyre kritike dhe ironike.
Gjatë marshimit nga sheshi "Skënderbej" drejt Kryeministrisë, protestuesit ekspozuan pankarta që synonin të ironizonin qeverinë dhe të shprehnin pakënaqësinë për situatën politike në vend.
Një prej pankartave theksonte se prej 39 ditësh qytetarët po kërkojnë përgjigje, ndërsa sipas protestuesve kanë marrë vetëm fyerje.
Një tjetër mesazh i drejtohej drejtpërdrejt kryeministrit, duke përcjellë idenë se vetëm burgu mund të sjellë reflektim, ndërsa një pankartë tjetër shprehte bindjen e protestuesve se pushteti nuk po dëgjon zërin e qytetarëve, pavarësisht protestave të përditshme.
Në protestë nuk munguan as mesazhet që vendosnin në të njëjtin plan figurat kryesore të politikës shqiptare, duke i cilësuar si pjesë të të njëjtit model qeverisës, si dhe pankarta me referenca ndaj debatit për financimin e koncertit të Kanye West, ku protestuesit ngrinin pyetje për përdorimin e fondeve publike.
Mes pankartave u vu re edhe një mesazh ironik, që vinte në kontrast akuzat e protestuesve për shpenzimin e miliona eurove me deklaratat e kryeministrit për "sorrat dhe korbat", duke e kthyer këtë shprehje në një nga simbolet e protestës së sotme.
Protestuesit deklarojnë se tubimet do të vijojnë edhe në ditët në vijim, derisa të ketë reagim ndaj kërkesave që kanë ngritur prej më shumë se një muaji.








Lini një Përgjigje