
Gazetarja Klodiana Lala deklaroi se Shqipëria po kalon një nga momentet më të vështira politike dhe institucionale të viteve të fundit. Ajo tha se qeveria e kryeministrit Edi Rama ka humbur legjitimitetin dhe se pozita e kreut të qeverisë është dobësuar si në planin e brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.
Lala u shpreh se Edi Rama nuk e kontrollon më narrativën politike si më parë dhe se reagimi qytetar ka ndryshuar raportin mes pushtetit dhe opinionit publik. Sipas saj, mbështetja ndërkombëtare që kryeministri ka gëzuar ndër vite nuk është më e njëjta, ndërsa disa prej iniciativave të tij, përfshirë marrëveshjen për kampin e Gjadrit, i janë kthyer në kosto politike.
Në analizën e saj, gazetarja ndaloi edhe te puna e SPAK-ut, të cilin e cilësoi institucionin më të rëndësishëm për të ardhmen e vendit. Ajo vlerësoi se struktura e posaçme ka dëshmuar se është në gjendje të hetojë edhe nivelet më të larta të pushtetit, duke përmendur hetimet ndaj zyrtarëve të lartë dhe veprimet hetimore që, sipas saj, mund të prodhojnë zhvillime të rëndësishme.
Lala theksoi se qytetarët nuk presin më vetëm goditje ndaj krimit të organizuar, por kërkojnë që drejtësia të përqendrohet te korrupsioni në nivelet më të larta të qeverisjes. Sipas saj, pritshmëria e publikut është që hetimet të prekin ministra, deputetë dhe zyrtarë të lartë që dyshohen për abuzim me detyrën dhe fondet publike.
Ajo shtoi se suksesi i SPAK-ut do të matet me aftësinë për të goditur kulturën e pandëshkueshmërisë dhe për të hetuar ata që prej vitesh janë konsideruar të paprekshëm. Sipas Lalës, institucionet e drejtësisë kanë përpara një përgjegjësi historike për të rikthyer besimin e qytetarëve te shteti ligjor dhe për të garantuar se askush nuk është mbi ligjin.
"Sepse, ja, ta them unë pse është e vlefshme. Sepse, siç tha ajo, karrigia e drejtorit të përgjithshëm rrotullohet shumë shpejt, tha; jo më shumë se një herë në dy vjet këtu në Shqipëri. Dhe patjetër që është një sfidë shumë e madhe. Unë e kuptoj vështirësinë që ka secili prej zyrtarëve të policisë, që është pjesë dhe ka qenë pjesë e Policisë, për ta bërë këtë. Por mendoj që njëri prej tyre, ndoshta zoti Hita, i ka rënë bingo, nëse mund ta them kështu, që të ketë kurajon për ta bërë. Në të kundërt, pastaj, ç'të të them tjetër? Në qoftë se u themi shqiptarëve që kjo nuk bëhet, i bie të shkojmë në anarki. Nuk di pastaj si ta them ndryshe. Por do të doja që të kishte kurajon profesionale dhe integritetin moral për ta bërë këtë gjë, sepse realisht Shqipëria është në një pikë shumë të vështirë. Realisht, Shqipëria është në një pikë të vështirë. Qeveria nuk ka më legjitimitet. Situata është komplet e dërrmuar.
Jo, edhe si gazetare mund ta jap këtë përgjigje. Dëgjo, unë mendoj që zoti Rama është i izoluar nga partnerët ndërkombëtarë ose nga arena ndërkombëtare. Po ta shikoni, ka shumë pak vizita. Problemi është që zoti Rama nuk është më ai lideri që u ka thënë shqiptarëve për kaq vite me radhë: 'Unë e bëra Shqipërinë dhe e njoha në arenën ndërkombëtare'. Ka pasur momente interesante, por nuk e ka më atë fuqinë në arenën ndërkombëtare dhe të gjitha përpjekjet që ka bërë, që nga kampi në Gjadër me Melonin e të tjera me radhë, në një farë mënyre i janë kthyer në bumerang. Edhe sikur të qëndrojë deri në fund të mandatit, pas kësaj proteste nuk ka për të qenë më kurrë Edi Rama ai që do të kontrollojë narrativën. Do të jenë qytetarët ata që i kanë marrë fatet e vendit në duar.
Mendoj që SPAK e ka gjithë pjekurinë për t'i bërë edhe ato goditjet e rëndësishme. Hetimet ndaj figurave të larta tregojnë se struktura mund të shkojë deri në nivelet më të larta të pushtetit. Sot qytetarët shqiptarë nuk presin më vetëm goditje ndaj krimit të organizuar, por duan të shohin hetime për korrupsionin në nivelet më të larta, ministra, deputetë dhe zyrtarë që kanë abuzuar me detyrën. Nëse SPAK arrin të godasë ata që janë konsideruar të paprekshëm, atëherë mendoj se do ta ketë përmbushur misionin e tij dhe do të ketë një rol vendimtar për të ardhmen e vendit", tha ajo për "Syri Tv".
Lini një Përgjigje