Ardi Kollçaku në qendër të dosjes së SPAK-ut; perandoria e betonit nën hetim për pastrim parash
Ish presidenti i ekipit të Skënderbeut Ardi Kollçaku, pronari i "Anchor Investments", është një nga emrat që SPAK dhe BKH kanë vënë në shënjestër më 16 qershor, në kuadër të operacionit kundër trafikut të kokainës dhe pastrimit të parave. Kollçaku nuk është mes të arrestuarve, por kontrolli në 23 ambiente e vendos atë dhe perandorinë e tij të betonit në qendër të dosjes ku dyshohet se paratë e zeza të drogës kanë hyrë përmes investimeve në pasuri të paluajtshme.
"Anchor Investments" nuk është thjesht një kompani ndërtimi. Kollçaku zotëron 45% të saj, por struktura që ka ndërtuar është ajo që bie në sy. Zinxhiri i kompanive që ai kontrollon përfshin Anchor Beton, Seaside Residence I, Alias Power, Tirana West Center, Sun Palasë dhe Tirana Tower. Një strukturë që prodhon betonin, ndërton kullat dhe shet njësitë, pa dalë asnjëherë jashtë grupit. Ky është pikërisht modeli që hetuesit e SPAK e njohin mirë.
Tirana Tower, me NIPT M41724028H, zotërohet 100% nga Anchor Investments. Kulla është pronë e plotë e shoqërisë së Kollçakut. Por ajo që e bën këtë strukturë të rrezikshme për Kollçakun është fakti se çdo verifikim mbi origjinën e kapitalit të Anchor e prek drejtpërdrejt edhe këtë projekt.
Hetimi i SPAK ka nxjerrë në pah tri gjurmë që lidhin Kollçakun me pastrimin e parave.

E para është origjina e kapitalit fillestar të Anchor dhe e kontributit prej 45% të Kollçakut. Pyetja është e thjeshtë: nga erdhi kapitali që ndërtoi këtë perandori betoni?
E dyta është shitja e njësive të kullave. Prokuroria dyshon se transaksionet janë bërë me para në dorë jashtë sistemit bankar, me çmime nën vlerën reale të tregut dhe me blerës të lidhur me persona nën hetim.
E treta është furnizimi i betonit përmes Anchor Beton brenda grupit, një fluks parash që mbahet i mbyllur nga jashtë.
Sipas Ekstraktit Historik të Regjistrit të Pronarit Përfitues, Ardi Kollçaku u regjistrua pronar përfitues për 45% të kullës më 3 qershor 2024.
Ashtu si miku i tij Agim Zeqo, Ardi Kollçaku sot nuk është i pandehur. Por kontrolli i BKH-së, zinxhiri vertikal i kompanive të tij dhe modeli i shitjeve të kullave e vendosin atë në qendër të një dosjeje që kërkon llogari. Pyetja që shtrohet është se sa lart do të shkojë kjo dosje dhe çfarë do të zbulojë për perandorinë e betonit që Kollçaku ka ndërtuar. /Pamfleti
Lini një Përgjigje