Negociatat e reja mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit pritet të zhvillohen nesër në Islamabad, Pakistan, në një moment tensionesh të larta dhe presioni në rritje për arritjen e një marrëveshjeje. Procesi diplomatik vjen pas paralajmërimeve të forta nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili ka kërcënuar se SHBA mund të godasë infrastrukturën energjetike dhe objektet kyçe në Iran nëse nuk arrihet një marrëveshje.
Deklaratat e tij kanë shtuar peshën e këtyre bisedimeve, të cilat shihen si një përpjekje për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për të stabilizuar situatën në rajon. Në këtë kontekst, përbërja e delegacioneve nga të dyja palët konsiderohet vendimtare për drejtimin që mund të marrin negociatat.
Më poshtë janë përfaqësuesit kryesorë të të dyja vendeve:
Shtetet e Bashkuara
JD Vance: Nënpresidenti amerikan, i cili më herët ka shprehur skepticizëm ndaj luftës me Iranin. Sipas CNN, ai ka luajtur rol në sigurimin e armëpushimit dyjavor mes SHBA-së dhe Iranit, si edhe në marrëveshjen e fundit mes Izraelit dhe Libanit. Burime të mëparshme kanë treguar se pala iraniane preferon të komunikojë me të krahasuar me zyrtarë të tjerë amerikanë.
Steve Witkoff: Zhvillues i pasurive të paluajtshme dhe mik i afërt i Donald Trump prej dekadash. Ai ka kontribuar në negociatat për armëpushimin në Gaza dhe ka zhvilluar bisedime edhe me presidentin rus Vladimir Putin lidhur me luftën në Ukrainë.
Jared Kushner: Bashkëshorti i Ivanka Trump dhe ish-këshilltar i rëndësishëm gjatë mandatit të parë të Trump. Ai ka qenë negociator kyç për Lindjen e Mesme dhe ka ndërtuar marrëdhënie të ngushta me liderë rajonalë.
Irani
Mohammad Bagher Ghalibaf: Kryeson delegacionin iranian në Pakistan dhe njëkohësisht është kryetar i Parlamentit të Iranit. I konsideruar pjesë e brendshme e establishmentit, ai ka luajtur rol të rëndësishëm në komunikimin me administratën Trump gjatë konfliktit.
Abbas Araghchi: Ministër i Jashtëm i Iranit dhe negociator me përvojë në bisedimet bërthamore me fuqitë perëndimore. Ai ka deklaruar më herët se Irani ka “humbur besimin” ndaj SHBA-së, por mbetet i hapur për një marrëveshje mbi programin bërthamor.
Ali Bagheri Kani: Një tjetër negociator i rëndësishëm i linjës së ashpër, i përfshirë në bisedime të mëparshme me SHBA-në, veçanërisht në çështjet bërthamore.
Lini një Përgjigje