Dy tërmete me magnitudë 7.2 dhe 7.5 goditën Venezuelën. Autoritetet paralajmërojnë se numri i viktimave mund të rritet ndjeshëm, ndërsa ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimet nën rrënoja.
Nga shifrat e para të publikuara rezultojnë të paktën 32 persona që kanë humbur jetën dhe rreth 700 të tjerë janë plagosur, ndërsa janë shembur disa qindra ndërtesa në Karakas dhe zonat përreth.
Sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS), fillimisht u regjistrua një tërmet me magnitudë 7.2 rreth 160 kilometra në perëndim të Karakasit, i ndjekur më pak se një minutë më vonë nga një tjetër me magnitudë 7.5.
Presidentja e përkohshme e Venezuelës, Delcy Rodríguez, tha se bilanci paraprak nuk përfshin ende viktimat në shtetin La Guaira, një nga zonat më të goditura, ku ndodhet edhe aeroporti ndërkombëtar i kryeqytetit.
USGS vlerëson se, bazuar në modelet e parashikimit të dëmeve, numri i viktimave mund të arrijë në mijëra, ndërsa ekziston një mundësi e konsiderueshme që ai të kalojë 10.000.
"Dhjetëra ndërtesa janë shembur dhe ekipet e shpëtimit po punojnë pa ndërprerje për të gjetur të mbijetuarit," deklaroi Rodríguez në televizionin shtetëror, duke e cilësuar situatën një tragjedi kombëtare dhe duke shprehur ngushëllime për familjet e viktimave.
Autoritetet venezueliane njoftuan se në orët në vijim pritet mbërritja e ekipeve ndërkombëtare të shpëtimit. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ofrojnë ndihmë humanitare.
Dëshmitarët: "Pamjet ngjanin me një film horror"
Pamjet nga Karakasi tregojnë ekipe emergjence që kërkojnë të mbijetuar mes rrënojave, ndërsa familjarët presin me ankth për lajme.
"Kur dolëm jashtë, gjithçka dukej si një film horror. U detyruam të kalonim mbi rrënoja. Pashë vetëm një familje që arriti të dilte nga ndërtesa," tha një banore pranë një prej godinave të shembura.
Sipas autoriteteve lokale, disa persona humbën jetën pas shembjes së ndërtesave në lagjet Baruta dhe Chacao të Karakasit.
Pas tërmeteve u lëshua një paralajmërim për cunami, i cili u anulua pak më vonë pasi rreziku kaloi.
Shumë banorë dolën menjëherë nga shtëpitë dhe kaluan natën në ambiente të hapura nga frika e lëkundjeve të tjera.
"Dëgjova një zhurmë shumë të fortë. Gjithçka në shtëpi filloi të binte. Nuk kam përjetuar kurrë diçka të tillë," tha një banor i Karakasit.
Një gazetare në kryeqytet tregoi se njerëzit nisën të bërtisnin sapo filluan lëkundjet dhe zbritën me nxitim shkallët për të dalë jashtë.
Aeroporti u mbyll, shkollat pezulluan mësimin
Autoritetet mbyllën aeroportin ndërkombëtar të Maiquetías për shkak të dëmtimeve në infrastrukturë. Shërbimet e metrosë dhe transportit hekurudhor u pezulluan, ndërsa mësimi në shkolla u anulua për pjesën e mbetur të javës.
Spitalet në Karakas rritën numrin e personelit në shërbim për të përballuar fluksin e të plagosurve.
Sipas autoriteteve, deri tani nuk janë raportuar dëme të mëdha në infrastrukturën e industrisë së naftës, ndërsa kompanitë energjetike që operojnë në vend kanë njoftuar se personeli i tyre është i sigurt.
Liderë nga Brazili, Republika Domenikane, El Salvadori dhe vende të tjera kanë shprehur gatishmërinë për të ndihmuar Venezuelën, ndërsa Departamenti Amerikan i Shtetit bëri të ditur se po bashkërendon ndihmën me autoritetet venezueliane. /Përshtati Pamfleti nga Reuters dhe The Guardian/
Lini një Përgjigje