Sipas një qarkoreje të firmosur nga ministri Sebastien Lecornu, bashkëpunëtorët e ministrave dhe disa zyrtarë të lartë mund t’i nënshtrohen kontrolleve me test pështyme. Rezultatet pozitive mund të sjellin masa disiplinore…
Qeveria franceze planifikon të vendosë kontrolle të detyrueshme dhe të papritura për përdorimin e lëndëve narkotike në kabinetet ministrore.
Në një qarkore të nënshkruar më 16 qershor nga ministri i Forcave të Armatosura, Sebastien Lecornu, theksohet se shteti duhet të ndjekë një politikë të vendosur për parandalimin dhe zbulimin e konsumit të drogës në kuadër të luftës kundër trafikut të narkotikëve. Ministrave u është kërkuar të hartojnë një plan veprimi deri më 26 qershor.
Një këshilltar ministror, i cituar nga RTL, deklaroi se është e natyrshme që anëtarët e qeverisë të jenë shembull nëse lufta kundër narkotrafikut konsiderohet prioritet kombëtar. Ai shtoi se nuk mund të kërkohet forcimi i ligjit, ndërsa vetë zyrtarët ta shkelin atë.
Një tjetër bashkëpunëtor qeveritar e cilësoi nismën si disi të papërshtatshme, pasi sipas tij krijon përshtypjen se problemi është i përhapur në të gjithë qeverinë, ndërkohë që rastet e tilla mbeten të kufizuara.
Ministrja franceze e Shëndetësisë, Stephanie Rist, mbështeti masën në një deklaratë për RTL. Ajo tha se përdoruesit e drogës kontribuojnë në mënyrë indirekte në funksionimin e rrjeteve të narkotrafikut dhe se detyrimi për të qenë shembull mund të ndihmojë në rikthimin e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve dhe përfaqësuesve të tyre.
Kontrollet do të realizohen përmes testeve të pështymës dhe do të përfshijnë anëtarët e kabineteve ministrore, si dhe zyrtarë të emëruar me vendim të qeverisë, përfshirë Sekretarë të Përgjithshëm, delegatë ministrorë, drejtorë të përgjithshëm, prefektë dhe ambasadorë.
Qarkorja parashikon që personat që rezultojnë pozitivë të referohen sistematikisht drejt strukturave të kujdesit shëndetësor. Gjithashtu, ministrat do të vlerësojnë mundësinë e masave disiplinore, si në rastet e rezultateve pozitive, ashtu edhe në rast refuzimi për t’iu nënshtruar testimit.
Sipas dokumentit, personat e testuar do të kenë të drejtën të kërkojnë një analizë të dytë verifikuese në rast se rezultati i parë është pozitiv.
Well done France.