Ministri izraelit i Mbrojtjes deklaron se forcat izraelite do të vazhdojnë të qëndrojnë në zonat e sigurisë në Liban, Siri dhe Gaza, ndërsa paralajmëron Iranin për një përgjigje të ashpër në rast sulmi…
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi se Izraeli nuk ka ndërmend të tërheqë forcat e tij nga Libani jugor, pavarësisht marrëveshjes së arritur mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, e cila përfshin edhe ndërprerjen e armiqësive mes Izraelit dhe Hezbollahut.
Në një deklaratë zyrtare, Katz tha se ai dhe kryeministri Benjamin Netanyahu ndjekin një politikë të qartë sipas së cilës Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) do të mbeten në zonat e sigurisë në Liban, Siri dhe Gaza pa afat të caktuar.
“IDF do të vazhdojë të qëndrojë në këto zona për të mbrojtur kufijtë dhe komunitetet izraelite nga elementë xhihadistë”, theksoi ministri izraelit.
Sipas Katz, në zonat e sigurisë do të largohen banorët lokalë dhe do të shkatërrohen të gjitha infrastrukturat që Izraeli i konsideron terroriste, përfshirë objektet nëntokësore dhe ato mbi tokë, si edhe banesat në fshatrat pranë vijës së kontaktit që, sipas tij, janë përdorur si baza operative.
Ministri e cilësoi ruajtjen e këtyre zonave si një nga arritjet më të rëndësishme të ushtrisë izraelite gjatë luftës dhe theksoi se Izraeli kundërshton çdo plan për tërheqjen e trupave nga Libani, pavarësisht presioneve ndërkombëtare.
Katz bëri të ditur se kryeministri Netanyahu ia ka përcjellë këtë qëndrim presidentit amerikan Donald Trump dhe zyrtarëve të tjerë të lartë amerikanë. Ai shtoi se të njëjtin mesazh ia ka transmetuar edhe Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth.
“Ne nuk do të bëjmë kompromis për interesat e sigurisë së Izraelit dhe mbrojtjen e qytetarëve tanë. Nuk do të tërhiqemi nga zonat e sigurisë”, deklaroi ai.
Katz paralajmëroi gjithashtu Iranin, duke thënë se nëse Teherani sulmon Izraelin për shkak të zhvillimeve në Liban, përgjigjja izraelite do të jetë e fuqishme.
“Nëse Irani sulmon Izraelin për shkak të ngjarjeve në Liban, ne do të godasim me gjithë forcën tonë”, u shpreh ministri.
Deklarata e Katz është reagimi i parë publik nga një drejtues izraelit lidhur me armëpushimin e shpallur një natë më parë.
Lini një Përgjigje