Kryeministri britanik Keir Starmer tha se operacioni 6 orësh në ujërat e Kanaliz Anglez i ka dhënë një tjetër goditje Rusisë dhe Putinit.
Forcat e armatosura britanike kanë ndaluar një cisternë nafte që dyshohet se bën pjesë në të ashtuquajturën “flotë hije” të Rusisë në ujërat e Kanalit Anglez.
Lajmin e bëri të ditur kryeministri britanik Keir Starmer, i cili e cilësoi operacionin si një tjetër goditje ndaj Moskës.
“Kjo operacion i përfunduar me sukses i jep një tjetër goditje të fortë Rusisë dhe u kujton atyre që ushqejnë luftën e Vladimir Putinit në Ukrainë se nuk do t’i lejojmë të fshihen”, shkroi Starmer në rrjetin social X.
Operacioni u zhvillua në koordinim me autoritetet franceze dhe zgjati rreth gjashtë orë. Komando të Royal Marines, agjentë të specializuar të National Crime Agency (NCA) dhe personel i Forcave Ajrore Mbretërore (RAF) hipën në bord të anijes për kryerjen e kontrolleve.
Sipas platformës së monitorimit detar MarineTraffic, anija me emrin Smyrtos lundron nën flamurin e Kamerunit dhe aktualisht ndodhet e ankoruar në Kanalin Anglez. Ministria britanike e Mbrojtjes njoftoi se anija do të mbahet nën vëzhgim pranë brigjeve jugore të Anglisë ndërsa hetimet vazhdojnë.
Sipas autoriteteve britanike, Rusia përdor një rrjet prej më shumë se 700 cisternash të njohura si “flota hije” për të shmangur sanksionet ndërkombëtare ndaj eksporteve të saj të naftës. Këto anije transportojnë rreth 75 për qind të naftës ruse që është objekt i sanksioneve.
Ministri britanik i Mbrojtjes e përshkroi këtë flotë si një burim jetik për Kremlinin dhe theksoi se Londra ka vendosur sanksione ndaj më shumë se 500 anijeve deri më tani.
Sanksionet britanike ndalojnë hyrjen e këtyre anijeve në portet e Mbretërisë së Bashkuar dhe u ndalojnë kompanive apo individëve britanikë të ofrojnë shërbime financiare, sigurimi apo ndërmjetësimi për anijet që transportojnë naftë ruse.
Lini një Përgjigje