TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota12 Qershor 2026, 14:42

Lufta me Rusinë, Ukraina kërkon 20 miliardë dollarë të tjera

Shkruar nga Pamfleti
Lufta me Rusinë, Ukraina kërkon 20 miliardë dollarë
Volodymyr Zelensky

Ukraina pritet t’u kërkojë aleatëve perëndimorë një paketë të re financimi me vlerë 20 miliardë dollarë për të forcuar kapacitetet e saj ushtarake dhe për të ruajtur avantazhin që pretendon se ka fituar ndaj Rusisë në disa fronte të luftës.

Sipas një zyrtari të lartë të mbrojtjes ukrainase, i cili foli në kushte anonimiteti për POLITICO, kërkesa do të paraqitet më 18 qershor gjatë mbledhjes së Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, i njohur ndryshe si formati Ramstein.

“Të gjithë e shoihin që Rusia po digjet dhe ne duam të digjet edhe më shumë, por na duhet financim për ta bërë këtë”, tha ai.

Sipas zyrtarit, vendet aleate do të ftohen të kontribuojnë me shuma që variojnë nga 2 deri në 6 miliardë dollarë secila, ndërsa mbështetja mund të ofrohet në formën e ndihmës financiare ose kredive.

Fondet e kërkuara do të përdoren për forcimin e mbrojtjes ajrore, blerjen e armëve përmes programeve të NATO-s, furnizimin me dronë dhe municione shtesë, pajisje për luftën elektronike, si dhe për zgjerimin e kapaciteteve të goditjes me rreze të gjatë veprimi. Një pjesë e fondeve synohet gjithashtu të investohet drejtpërdrejt në industrinë vendase të mbrojtjes.

Muajt e fundit, Ukraina ka intensifikuar sulmet me dronë dhe raketa ndaj objektivave strategjikë rusë, duke goditur infrastrukturën logjistike, rrjetet e transportit, rafineritë e naftës dhe portet.

Presidenti Volodymyr Zelensky deklaroi së fundmi se sistemet pa pilot të Ukrainës po japin rezultate në nivele të ndryshme të operacioneve ushtarake, duke përfshirë edhe objektiva që ndodhen qindra kilometra brenda territorit rus.

Sipas zyrtarit ukrainas, ndihma e ofruar deri tani nga vende si Gjermania, Norvegjia dhe Holanda ka ndikuar në ndryshimin e ekuilibrave në fushën e betejës. Megjithatë, ai paralajmëroi se koha për të shfrytëzuar këtë avantazh është e kufizuar, pasi Rusia po përshtatet me shpejtësi ndaj zhvillimeve në terren.

Nga ana tjetër, Moska e ka kritikuar kërkesën e re të Kievit. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, deklaroi se “sa herë ndodh e njëjta histori: Kievi ka nevojë për më shumë para”, duke e cilësuar kërkesën si një tjetër shembull të asaj që ajo e quajti “vetëdëmtim politik”. 

ukraina kerkon 20 miliarde dollare per luften

Lini një Përgjigje