Nga një nënë e shkatërruar prej tragjedisë hekurudhore të Tempit në një lidere politike. Më 22 maj, Maria Karystianou shpalli lëvizjen e saj “Shpresë për Demokracinë”, e cila po trondit establishmentin grek me kërkesat e saj për llogaridhënie dhe fytyra të reja në skenën politike.
Momenti mbartte nota teatrale, por rreziku ishte më se i vërtetë. Maria Karystianou, nëna që u shndërrua në simbol të kërkesës për transparencë në Greqi pas katastrofës hekurudhore të Tempit në vitin 2023, nuk është më thjesht një aktiviste. Ajo është tashmë një kandidate për t’u ngjitur në pushtet.
Aksidenti i Tempit shkaktoi vdekjen e 57 personave, pjesa më e madhe e të cilëve studentë të rinj, kur një tren udhëtarësh u përplas kokë më kokë me një tren mallrash në Greqinë Qendrore, më 28 shkurt 2023. Midis viktimave ishte edhe vajza 19-vjeçare e Karystianou-t, Martha. Ajo që pasoi ishte një nga lëvizjet qytetare më të gjata që Greqia kishte parë që nga koha e krizës financiare: manifestime të mëdha, beteja ligjore dhe një fushatë për llogaridhënie, e cila kapërceu vazhdimisht aftësinë e establishmentit politik për ta menaxhuar apo frenuar atë.
Vitin e kaluar, Karystianou ndihmoi në daljen në sheshe të qindra mijëra njerëzve në demonstratat më të mëdha që Greqia kishte parë prej vitesh. Muajin e kaluar, ajo e kanalizoi atë energji në lëvizjen “Elpida gia ti Dimokratia” (Shpresë për Demokracinë).
Nga mjeke pediatre në një udhëheqëse anti-establishment
Përpara tragjedisë së Tempit, Karystianou ishte krejtësisht e panjohur për publikun e gjerë grek. Pediatre në Kalamaria të Selanikut, ajo ishte, sipas pacientëve që e njihnin, një mjeke e përkushtuar ndaj parimeve më të mira të mjekësisë moderne: e kujdesshme me antibiotikët dhe e vëmendshme ndaj asaj që organizmi mund të bënte vetë.
Një nga pacientet e saj, Nefeli A., nënë e dy fëmijëve, e kujton si një person që nuk jepte ilaçe nëse nuk ishte absolutisht e nevojshme. Po kjo natyrë i dha formë edhe mënyrës se si ajo e projektoi dhimbjen e saj në jetën publike.
Ajo nuk u mjaftua vetëm me pikëllimin. Ajo hetoi, organizoi dhe ngriti padi ligjore, si në nivel kombëtar, ashtu edhe pranë Prokurorisë Evropiane, pasi arriti në përfundimin se drejtësia greke kishte dështuar. “Vajza ime u dogj e gjallë!”, deklaroi ajo në tetor të vitit 2025, “dhe në fashikullin zyrtar nuk ka asnjë referencë për zjarrin, s’ka asnjë akuzë për këtë, sepse kështu i intereson qeverisë”.
Në janar të këtij viti, sondazhet e nxirrnin atë 33 për qind më të pëlqyer sesa vetë kryeministrin Kyriakos Mitsotakis, i cili mbeti në kuotën 26 për qind, dhe më të pëlqyer se çdo figurë tjetër politike në vend.
Më 1 prill, ajo e njoftoi zyrtarisht lëvizjen përmes rrjeteve sociale. “Demokracia e Re”, e cila në zgjedhjet e vitit 2023 kishte siguruar 41 për qind të votave, ka pësuar një rënie drastike të mbështetjes, e rënduar nga skandalet e korrupsionit dhe nga trashëgimia politike ende e pazgjidhur e Tempit. SYRIZA, partia që dikur mishëronte energjinë anti-establishment, tani vegjeton në periferinë e skenës parlamentare. Rasti i saj përbën një paralajmërim për atë se çfarë ndodh kur lëvizjet e protestës përvetësojnë zakonet e institucioneve që synojnë të sfidojnë.
Në këtë boshllëk, Karystianou e ka pozicionuar “Shpresën për Demokracinë” si diçka vështirësisht të klasifikueshme një lëvizje e ngritur jo mbi ideologji, por mbi kërkesën që shteti të përgjigjet për veprimet e veta.
“Që të jemi në gjendje të ndryshojmë gjërat, duhet të kemi mundësinë për ta bërë këtë. Po flasim për pushtet. Ky është objektivi ynë”, u tha ajo mbështetësve të saj në Selanik. Ajo ka refuzuar aleancat me partitë ekzistuese dhe ka përjashtuar politikanët e karrierës nga radhët e saj, duke argumentuar se “ata mbajnë të njëjtën përgjegjësi” për situatën aktuale në Greqi.
Për disa analistë, paqartësia ideologjike e partisë (statuti themelues i së cilës përfshin tema si familja, arsimi, shëndetësia dhe transparenca në prokurimet publike, pa një orientim të qartë të djathtë apo të majtë) nuk përbën dobësi, por është aseti i saj më i rëndësishëm strategjik.
Në një kontekst ku votuesit po largohen njëkohësisht si nga e majta, ashtu edhe nga e djathta tradicionale, një lëvizje që kërkon me ngulm llogaridhënie mund të fitojë mbështetje nga të dyja krahët.
Sondazhet sugjerojnë se kjo po ndodh që tani, me një përkrahje potenciale që shtrihet nga progresistët e zhgënjyer deri te konservatorët anti-establishment. Megjithatë, asnjë analizë e ndershme e kësaj aventure politike të Karystianou nuk mund të anashkalojë problematikat e saj, dhe më e rëndësishmja prej tyre u shfaq përpara se partia të merrte një emër zyrtar.
Debati mbi abortin
Në janar të këtij viti, gjatë një ndërhyrjeje në OPEN TV, Karystianou e cilësoi abortin si “një çështje komplekse etike që përfshin si të drejtat e grave”, ashtu edhe ato që ajo i quajti “të drejtat e fetusit”, duke kërkuar një konsultim publik për një çështje që është rregulluar me ligj në Greqi që nga viti 1986.
Reagimi ishte i menjëhershëm dhe i gjithanshëm: si qeveria, ashtu edhe opozita këmbëngulën se kjo çështje ishte “e mbyllur”. Deklaratat e saj ishin të matura (Karystianou nuk kërkoi ndalimin e abortit dhe njohu shprehimisht të drejtën e gruas për të vendosur), por duke e kuadruar jetën e fetusit si një temë legjitime të debatit demokratik, ajo iu referua sfondit të saj mjekësor në një mënyrë që shpërfaqi pasiguri.
Ishte një përgjigje hezituese, e improvizuar dhe qartazi e papërgatitur për peshën politike që do të merrte. Koherenca e saj është e sinqertë: bëhet fjalë për një pediatre, identiteti profesional i së cilës ka qenë prej kohësh i fokusuar në mbrojtjen e jetës së fëmijëve, dhe kjo reflektohet në vizionin e saj politik.
Mirëpo koherenca nuk është sinonim i urtësisë politike, dhe qëndrimi kontradiktor mbi abortin nxori në pah se sa shpejt autoriteti i saj moral mund të kthehet në problem kur ajo zhvendoset përtej sferës ku gëzon konsensusin më të gjerë: llogaridhënia institucionale, siguria publike dhe transparenca demokratike.
Shoqata e viktimave të aksidentit të Tempit është distancuar nga lëvizja politike
Vetë aktiviteti themelues mbartte një simbolikë të rëndësishme. Qyteti i Selanikut, i njohur për elektoratin e tij konservator, i dha ngjarjes një peshë të caktuar politike. Por mungesa më domethënëse e mbrëmjes ishte ajo për të cilën u diskutua më pak: asnjë përfaqësues i Shoqatës së Familjarëve të Viktimave të Tempit 2023 nuk mori pjesë, ndonëse disa familje e nënshkruan deklaratën e themelimit.
Këshilli drejtues i shoqatës ishte distancuar zyrtarisht nga ambiciet politike të Karystianou që në dhjetor të vitit 2025, duke deklaruar se veprimet e saj “nuk përfaqësojnë Shoqatën” dhe se misioni i saj mbetet ekskluzivisht kërkimi i drejtësisë për aksidentin.
Pano Ruçi, emigrant nga Shqipëria, gjithashtu prind i një prej viktimave, ishte kategorik në refuzimin e tij: “Kam luftuar për tim bir dhe për të vërtetën, jo për përfitime politike!”. Ky qëndrim përbën një thyerje të madhe, pasi një pjesë e mirë e autoritetit moral të Karystianou buronte pikërisht nga identifikimi i saj me këtë kolektivitet.
Kalimi nga një simbol i dhimbjes në udhëheqëse të një partie konsiderohet nga disa si diçka e dyshimtë, e ngjashme me atë për të cilën ajo vetë ka akuzuar sistemin: shndërrimin e tragjedisë publike në kapital personal.
Katerina Moutsatsos dhe identiteti ideologjik i “Shpresës për Demokracinë”
E ftuara “surprizë” e aktivitetit themelues, aktorja dhe aktivistja Katerina Moutsatsos, i shtoi një tjetër nivel kompleksiteti. E lindur në Kaliforni dhe me baba një oficer të marinës greke, Moutsatsos ka ndërtuar një karrierë të suksesshme në televizionin grek, por edhe në teatrin turk, me një rol të spikatur si “Stela” në serialin “Yabancı Damat” - një nga serialet e para turke të eksportuara ndërkombëtarisht, i përqendruar rreth një martese greko-turke.
Kjo ndodhi përpara se ajo të realizonte videon virale të vitit 2012 “I Am Hellene” (Unë jam helene), një mbrojtje pasionante e identitetit grek në kulmin e krizës së borxhit. Poliglote, e diplomuar për teatër në Sorbonë dhe prej vitesh mbështetëse e përdorimit të termit “helen” në vend të “grek”, ajo deklaroi para publikut në Selanik se ishte “përgatitur prej 14 vitesh” për këtë moment.
Në vitin 2024, ajo kishte kandiduar për Parlamentin Evropian me EPAM-in, një formacion nacionalist i linjës së ashpër dhe kundërshtar i memorandumeve të mirëkuptimit - një rrugëtim politik që ka ngritur pikëpyetje mbi koherencën ideologjike, të cilave partia e Karystianou-t, të paktën për momentin, ka zgjedhur të mos u përgjigjet.
Nëse “Shpresë për Demokracinë” do të shndërrohet në një forcë qeverisëse apo do të mbetet thjesht një lëvizje radhe në listën e gjatë të lëvizjeve greke të gllabëruara nga sistemi që sfiduan, kjo varet nga pyetje të cilave asnjë aktivitet themelues nuk mund t’u japë përgjigje.
Koalicioni është i gjerë, kontradiktat janë reale dhe familjet e munguara shërbejnë si një kujtesë e përhershme e asaj që ka humbur. Ajo që mbetet e sigurt është se, për herë të parë pas një kohe të gjatë, muret e establishmentit të politikës greke po dridhen dukshëm./Përshtati "Pamfleti", nga “Balcani Caucaso”
Lini një Përgjigje