
Ndërsa Uashingtoni dhe Tel Avivi kërkojnë dominim përmes forcës teknologjike, Teherani po aplikon një strategji të thjeshtë: mbijetesën me çdo kusht. Ky shterim i arsenaleve dhe mungesa e një objektivi politik, po e shndërrojnë konfliktin në një rrezik global që nuk njeh fitues, por vetëm qëndrueshmëri rraskapitëse...
Le të fillojmë me një pyetje të thjeshtë që rrallëherë merr një përgjigje të drejtpërdrejtë: si do të dukej në të vërtetë një fitore ndaj Iranit? Në Uashington dhe Jerusalem, përgjigjet zakonisht tingëllojnë të prera: eliminimi i kapaciteteve bërthamore të Iranit, dobësimi i fuqisë së tij rajonale dhe ndoshta imponimi i ndryshimeve politike në udhëheqje.
Kjo është gjuha e një lufte vendimtare, e asaj që supozohet se ka një fund të qartë. Por nëse e zhvendosim perspektivën në Teheran, përkufizimi ndryshon krejtësisht. Për Iranin, fitorja është thjesht mbijetesa. Kjo asimetri strategjike formëson të gjithë konfliktin.
Në luftëra të tilla, pala që ka nevojë për më pak kushte për të shpallur suksesin, shpesh zotëron avantazhin. Dh aktualisht, Iranit i duhet shumë më pak. Nuk ka asnjë dyshim për pabarazinë ushtarake në terren.
SHBA dhe Izraeli mund të godasin me një saktësi dhe shtrirje të jashtëzakonshme. Ato e kanë treguar këtë vazhdimisht, duke shënjestruar infrastrukturën, udhëheqjen dhe asetet më strategjike të Iranit. Megjithatë, suksesi taktik nuk është përkthyer ende në një rezultat politik përfundimtar.
Shteti iranian nuk është shpërbërë. Sistemi i tij qeverisës mbetet i paprekur dhe rrjetet e tij - ushtarake, rajonale dhe ideologjike - vazhdojnë të funksionojnë. Edhe kapacitetet më të ndjeshme, përfshirë ekspertizën bërthamore, mbeten të qëndrueshme.
Gabimi më i madh, qëndron te supozimi se Teherani po luan të njëjtën lojë si Uashingtoni. Por nuk është kështu. Irani nuk po përpiqet të mposhtë drejtpërdrejt SHBA-në apo Izraelin. Ai po tenton t’i mbijetojë presionit të tyre, t’u ndërlikojë objektivat dhe të rrisë koston e përparimit derisa ajo të bëhet e papërballueshme.
Kjo logjikë pasqyrohet qartë në mënyrën se si është zhvilluar konflikti deri më tani. Fusha e betejës shtrihet përtej përballjes direkte. Ajo prek korridoret detare, tregjet e energjisë dhe aleancat rajonale. Ndërprerjet në Ngushticën e Hormuzit nuk janë rastësore. Ato janë vatra presioni me pasoja globale.
Strategjia e Iranit s’ka të bëjë me dominimin, por me përfshirjen dhe ndërlikimin e situatës. Teherani nuk ka nevojë për epërsi në fushëbetejë, nëse mund t’i tërheqë kundërshtarët në një konflikt shumë të kushtueshëm për t’u zgjidhur dhe tepër kompleks për t’u përfunduar.
Kur luftërat ngecin, instinkti i parë është përshkallëzimi: më shumë bombardime, goditje ndaj infrastrukturës energjetike, madje edhe në rastin më ekstrem, dërgimi i trupave në terren. Supozohet gabimisht se më shumë forcë, do të prodhojë më në fund një rezultat ndryshe.
Por Irani nuk është një objektiv pasiv. Ai ka treguar gatishmëri për t’u kundërpërgjigjur në të gjithë rajonin, përfshirë Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katarin, Kuvajtin, Bahreinin, Omanin, si dhe objektiva në Jordani dhe Irak. Goditjet ndaj sistemeve energjetike të Iranit nuk do të mbeteshin të izoluara. Përkundrazi, ato do të pasonin kundërgoditje ndaj këtyre shteteve, duke e zgjeruar konfliktin në përmasa rajonale.
Pastaj ekziston edhe një kufizim tjetër material. Vlerësohet se SHBA-ja ka përdorur tashmë rreth 45-50 për qind të rezervave kyçe të raketave, duke përfshirë rreth 30 për qind të raketave të saj Tomahaëk.
Realiteti i hidhur, është se përshkallëzimi nuk ka të bëjë më vetëm me vullnetin, por edhe me kapacitetin. Dhe në një luftë më të gjerë, pyetja mund të mos jetë se sa larg mund të shkojë SHBA-ja, por sa municione i kanë mbetur në dispozicion.
Pasojat do të shtriheshin shumë përtej fushëbetejës. Përgjigjja e Iranit do të përfshinte sulme të vazhdueshme ndaj vendeve fqinje dhe sistemeve të tyre të energjisë, karburantit dhe ujit, duke i bërë gjithnjë e më të pabanueshme pjesë të rajonit, sidomos ndërsa temperaturat rriten ndjeshëm gjatë verës.
Kjo do të detyronte një numër masiv njerëzish të largoheshin, duke rrezikuar një krizë tjetër të madhe zhvendosjeje globale. Edhe në skenarin e përshkallëzimit, realiteti themelor mbetet i pandryshuar.
Irani është ndërtuar për të mbetur i qëndrueshëm. Çdo fushatë tokësore ka gjasa të kthehet në një proces të gjatë dhe rraskapitës. Më e rëndësishmja, përshkallëzimi e humbet thelbin: problemi nuk është mungesa e forcës, por mungesa e një objektivi politik që forca mund ta arrijë realisht.
Kjo problematikë përkeqësohet më tej nga një realitet i heshtur, por po aq vendimtar: SHBA dhe Izraeli nuk duken plotësisht në një mendje për objektivat përfundimtare. Qasja e Izraelit sugjeron ndjekjen e rezultateve maksimale, një dobësim të madh dhe të pakthyeshëm të sistemit iranian, madje edhe një rrëzim të plotë të regjimit.
Ndërkohë SHBA-ja, duket se lëkundet midis presionit, përmbajtjes dhe nevojës për negociata. Këto nuk janë thjesht nuanca, por dallime thelbësore në strategji. Luftërat e zhvilluara pa një përkufizim të përbashkët të fitores rrallëherë prodhojnë një të tillë.
Ajo që ato prodhojnë është një aktivitet i vazhdueshëm ushtarak pa përputhje strategjike. Një lëvizje të pandalshme, por pa asnjë përparim drejt zgjidhjes.
Asnjë fund në horizont
Në një moment të caktuar, bëhet e nevojshme t’i përshkruajmë gjërat ashtu siç janë: kjo nuk është më një luftë që po shkon drejt një përfundimi vendimtar. Është një konflikt që po vendoset në një model ciklik - bombardime të pasuara nga ndërprerjet e tyre, armëpushime që zgjasin aq sa për të shmangur kolapsin dhe negociata që avancojnë aq sa për të parandaluar dështimin total.
Këto armëpushime tregojnë historinë e tyre. Zgjatja e tyre e përsëritur nuk pasqyron përparim, por kufizim. Uashingtoni, nën administratën e Donald Trump, ka stimuj të fortë për të mbajtur gjallë bisedimet, për të shmangur një përshkallëzim më të thellë dhe për t’i dhënë fund luftës sa më shpejt të jetë e mundur.
Alternativat - një luftë rajonale apo një krizë ekonomike globale - janë skenarë shumë më të vështirë për t’u menaxhuar. Kjo dinamikë i jep avantazh Teheranit, sepse ai nuk ka nevojë të bëjë lëshime të shpejta kur vetë vonesa e forcon pozicionin e tij.
Në këtë kuptim, koha nuk është neutrale. Sa më shumë të zgjatet konflikti, aq më shumë preken pikat më të ndjeshme të ekonomisë globale. Tregjet e energjisë janë nën presion të vazhdueshëm, rrugët e furnizimit janë të rrezikuara dhe rezervat po pakësohen.
Industritë që varen nga stabiliteti i karburantit - aviacioni, transporti detar dhe prodhimi - po bëhen gjithnjë e më të ekspozuara. Ajo që nisi si një konflikt rajonal është shndërruar tashmë në një rrezik sistemik. Edhe ndërprerjet e kufizuara mund të përhapen si një efekt domino, duke ndikuar te çmimet, zinxhirët e furnizimit dhe stabilitetin politik global.
Kush e ka vërtet avantazhin?
Në terma thjesht ushtarakë, përgjigjja mbetet e qartë: SHBA dhe Izraeli ruajnë një epërsi dërrmuese. Por luftërat nuk vendosen vetëm nga kapaciteti teknik por edhe nga ndërveprimi i objektivave, kostove dhe kohës.
Dhe në këtë ekuacion, pozicioni i Iranit është më i fortë sesa duket. Ai ka vendosur një prag më të ulët për suksesin, ka treguar një tolerancë më të lartë ndaj presionit afatgjatë dhe ka dëshmuar aftësi për të imponuar kosto të larta përtej fushëbetejës.
Mbi të gjitha, Teheranit nuk i duhet të “fitojë” në kuptimin tradicional Atij i mjafton të pengojë kundërshtarët të arrijnë objektivat e tyre. Deri më tani, ia ka dalë mbanë. Kjo na kthen te pyetja fillestare: a mund ta fitojnë SHBA dhe Izraeli këtë luftë?
Nëse fitorja nënkupton detyrimin e Iranit për t’u nënshtruar ose ndryshimin thelbësor të qëndrimit të tij strategjik, përgjigjja po bëhet gjithnjë e më e vështirë për t’u shmangur: jo, nuk munden. Ajo që mund të bëjnë, është të vazhdojnë ta menaxhojnë konfliktin, të kufizojnë përhapjen e tij dhe të formësojnë kufijtë e tij.
Por kjo nuk është fitore por thjesht qëndrueshmëri. Rreziku i vërtetë nuk është humbja, por vazhdimi i besimit iluziv se “pak më shumë presion” apo “pak më shumë kohë” do të prodhojnë një rezultat ndryshe. Nëse ky besim është i gabuar, atëherë kjo nuk është një luftë që është pranë fitores. Është një luftë që nuk mund të fitohet fare. Një luftë e pafundme./Pamfleti nga “The Conversation”
Lini një Përgjigje