Eliminimi i Portugalisë nga Botërori 2026 në fazën e 1/8-ave shënoi fundin e një epoke për futbollin portugez. Disfata 1-0 ndaj Spanjës, e vulosur nga goli i Mikel Merinos në minutën e 91-të, ishte njëkohësisht edhe paraqitja e fundit e Cristiano Ronaldos me fanellën e përfaqësueses.
Pas përfundimit të takimit, 41-vjeçari bëri të ditur se po i jep fund karrierës së tij me kombëtaren, duke mbyllur një kapitull të jashtëzakonshëm në historinë e Portugalisë. Ronaldo largohet si lojtari i parë që ka marrë pjesë në gjashtë edicione të Kupës së Botës, megjithëse nuk arriti ta fitojë trofeun më prestigjioz të futbollit.
Në reagimin e tij, sulmuesi portugez vuri në pah kontributin e dhënë ndër vite për kombëtaren, duke rikujtuar edhe sukseset historike të arritura gjatë periudhës së tij me Portugalinë.
“Do të zgjohem nesër njësoj siç u zgjova sot, me ndërgjegjen e pastër, sepse kam dhënë gjithmonë më të mirën. Kam fituar tre trofe me Portugalinë. Para Cristiano Ronaldos, Portugalia nuk kishte fituar asnjë titull në histori dhe për këtë ndihem i lumtur.
Trofeu më i rëndësishëm që kam fituar me Portugalinë është Evropiani i vitit 2016. Për mua, të fitosh Evropianin është njësoj sikur të fitosh Botërorin.
Largohem me ndërgjegjen e pastër, sepse kam dhënë maksimumin për Portugalinë. Nesër është një ditë e re dhe jeta vazhdon”, u shpreh Ronaldo.
Lini një Përgjigje