
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se objektivi kryesor i marrëveshjes me Iranin është të garantojë që Teherani të mos zotërojë kurrë armë bërthamore.
“E vetmja gjë që ka vërtet rëndësi për mua është se Irani nuk do të ketë kurrë një armë bërthamore dhe marrëveshja e thotë këtë me zë të lartë dhe të qartë”, u shpreh Trump.
Ai theksoi se marrëveshja ndalon Iranin të zhvillojë, blejë apo sigurojë armë bërthamore në çfarëdolloj forme.
“Ata nuk do ta zhvillojnë atë. Ata nuk do ta blejnë atë. Ata nuk do të bëjnë asgjë me të. Dhe nëse e bëjnë, do të vuajnë pasoja të pabesueshme”, deklaroi presidenti amerikan.
Trump paralajmëroi se çdo përpjekje e Iranit për të siguruar armë bërthamore do të përballet me një reagim të ashpër nga Shtetet e Bashkuara.
“Ai thotë se ‘i gjithë ferri do të bjerë mbi ta’ nëse Irani ndonjëherë do të fitojë një armë bërthamore”, duke shtuar se kjo ishte arsyeja kryesore që e shtyu të mbështeste marrëveshjen.
“Kjo është arsyeja pse hyra dhe kjo është arsyeja pse pranova të nënshkruaj”, tha Trump.
Presidenti amerikan mohoi gjithashtu se ka pasur si objektiv ndryshimin e regjimit në Iran, pavarësisht deklaratave të mëparshme ku kishte bërë thirrje që iranianët të merrnin kontrollin e qeverisë së tyre.
“Nuk besoj në ndryshimin e regjimit... Kam parë ndryshime regjimi për vite me radhë, ato nuk funksionojnë kurrë”, deklaroi ai.
Trump komentoi edhe rezervat e uraniumit të pasuruar të Iranit, për të cilat zëvendëspresidenti JD Vance kishte deklaruar më herët se SHBA do të ndihmonte në largimin e tyre sipas marrëveshjes së paqes. “Do të shkojmë ta marrim”, tha Trump.
Më tej ai shpjegoi vështirësitë teknike që lidhen me transportimin e uraniumit.
“Por të shkosh ta marrësh, është një çështje e madhe sepse thonë se vetëm Kina dhe ne kemi pajisjet ku mund ta marrësh. I gjithë mali është shembur në majë. Ne kemi kamera mbi të”, u shpreh presidenti amerikan.
Megjithëse minimizoi rëndësinë ekonomike të uraniumit të pasuruar, Trump tha se kontrolli mbi të ka një vlerë të rëndësishme psikologjike.
“Mund ta argumentosh: pse po shqetësohesh fare? Sepse nuk është vërtet e vlefshme... Nuk është shumë e vlefshme. Por mendoj se psikologjikisht, ne duam ta marrim”, deklaroi ai.
Lini një Përgjigje