TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 5 Qershor 2026, 17:51

Tuneli nën Bering: projekti ambicioz i Putinit që synon të normalizojë raportet SHBA-Rusi

Shkruar nga Alberto Simoni

 Tuneli nën Bering: projekti ambicioz i Putinit që synon të

Ndërsa rëndohet pozita e ushtrisë ruse në frontin ukrainas, Moska rrikthen ën vëmendje projekti për një tunel hekurudhor nën Ngushticën e Beringut, me emrin “Ura e Paqes” për të lidhur sa më ngushtë të dyja vendet historikisht rivale. Rusia njofton se është gati të firmosë një marrëveshje me një kompani private amerikane, ndërsa SHBA nuk e konfirmon zyrtarisht...

“Një ide shumë interesante!”, ishte përgjigjja e Donald Trump ndaj gazetarit që në tetor 2025, e pyeti për propozimin që Kirill Dmitriev - drejtues i fondit sovran rus (RDIF) dhe negociator për çështjen e Ukrainës - i kishte paraqitur pak ditë më parë Vladimir Putinit:

“Të ndërtojmë një tunel nën Ngushticën e Beringut për të lidhur SHBA-në me Rusinë”. Volodymyr Zelensky, i cili ndodhej në Shtëpinë e Bardhë pranë Trumpit kur u bë kjo pyetje, reagoi prerazi: “Mua nuk më pëlqen kjo ide…”. Biseda u mbyll aty, por kontaktet mes SHBA-së dhe Rusisë për tunelin arktik dhe për eksplorimin e përbashkët të shtratit të detit - në kërkim të burimeve natyrore për t’u shfrytëzuar dhe ndarë - vazhduan.

Sipas njoftimit të Dmitriev, sot pritet të hidhet firma mbi projektin hekurudhor. Por vetë Uashingtoni, nuk ka konfirmuar asnjë marrëveshje. Se çfarë do të firmoset saktësisht - dhe nëse do të firmoset - nga një kompani private amerikane dhe pala ruse, kjo mbetet ende e paqartë.

Tani le të kalojmë te shifrat. Ngushtica e Beringut është rreth 82 kilometra e gjerë. Tuneli hekurudhor do të kalonte përmes dy ishujve Diomed - njëri nën sovranitet rus dhe tjetri amerikan - dhe segmenti nëntokësor do të arrinte në 112 kilometra, të paktën sipas planit të paraqitur në tetor të vitit të kaluar.

Flitet se kostoja do të jetë rreth 8 miliardë dollarë, jo 65 miliardë siç ishte përmendur më parë, falë mundësisë që kontrata t’i besohet Boring Company, e themeluar nga Elon Musk. Në atë kohë, Dmitriev e kishte publikuar në platformën X propozimin e tij drejtuar Musk-ut. Megjithatë, plani që pritet të prezantohet sot duket më modest. Bëhet fjalë për një marrëveshje me një kompani amerikane konsulence për zhvillimin e parqeve. Sipas Dmitriev, marrëveshja do të firmoset me këtë kompani dhe jo me përfaqësues të administratës amerikane.

Afati i parashikuar për realizimin  e projektit është tetë vjet. I ashtuquajturi “tuneli Trump-Putin” tingëllon ambicioz, por ideja nuk është e re në Rusi. Që në vitin 1904 është përmendur mundësia e një hekurudhe që do të lidhte Siberinë me Alaskën.

Vetë Dmitriev përfytyron një rrjet hekurudhor që do të bashkonte SHBA-në, Kanadanë, Rusinë dhe Kinën. Duken të largëta kohët kur Sarah Palin, kandidate për nënpresidente në krah të John Mçain në vitin 2008, deklaronte si guvernatore e Alaskës se kishte përvojë në politikën e jashtme, sepse nga brigjet e shtetit të saj mund të shihte Rusinë.

Nëse projekti realizohet, pas 8 vitesh ajo mund ta përshkojë Ngushticën me tren dhe t’u shtrëngojë dorën atyre që dikur i quante “armiq” ose njerëz të cilëve nuk duhej t’u besohej.

Ndërkohë, në sfondin e këtij projekti, nuk janë ndërprerë kontaktet mes rusëve dhe amerikanëve. Shkëmbimet e mesazheve mes Witkoff dhe Dmitriev - ish-bankieri me anglishte të shkëlqyer - kanë vazhduar, pavarësisht 73 raketave të lëshuara nga Rusia mbi Kiev, kundërpërgjigjeve dhe përshkallëzimit të luftimeve.

Dmitriev ka konfirmuar se më 3 qershor pati një bisedë telefonike me Witkoff dhe Jared Kushner, dhëndrin e presidentit, i përfshirë - megjithëse pa një post zyrtar - në negociatat për Ukrainën dhe Iranin. Një kontakt i ri pritet së shpejti.

Miami, qyteti ku Witkoff zhvillon takimet më të rëndësishme, është vizituar kohët e fundit edhe nga përfaqësues ukrainas. Më 18 shkurt 2025, diplomacia amerikane - e përfaqësuar nga Marco Rubio - u takua në Riad me delegacionin rus të udhëhequr nga Sergei Lavrov. Takimi prodhoi pak rezultate konkrete për Ukrainën dhe Zelenskyn, por të dyja palët theksuan se marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Rusisë nuk kufizohen vetëm te çështja ukrainase.

Rivendosja e marrëdhënieve dhe rifillimi i shkëmbimeve tregtare dhe projekteve të përbashkëta, u paraqitën si objektiva strategjikë. Pesëmbëdhjetë muaj më vonë, paqja në Ukrainë mbetet e paarritur, por marrëdhëniet dypalëshe Moskë-Uashington duken më të qëndrueshme nga sa pritej.

Sipas Politico-s, Pentagoni ka shqyrtuar madje anulimin e një kontrate për shitjen e raketave Gjermanisë, nga frika e reagimit të Moskës. Shenja afrimi po shihen edhe në sport. Më 1 korrik pritet të zhvillohet një ndeshje hokeji mes kombëtareve të dy vendeve, e para pas 7 vitesh, dhe në mbështetjen e vetë Trump.

Ndërkohë një delegacion amerikan ka marrë pjesë në Forumin e Biznesit në Shën Petersburg, i drejtuar nga Rosney Mims Cook, dizajner dhe që nga janari president i Komisionit të Arteve të Bukura të SHBA-së.

 Ndër vendimet e tij më të spikatura është miratimi i sallës së madhe të vallëzimit në Shtëpinë e Bardhë. Ndërkohë, Kurt Volker, ish-ambasador i SHBA-së në NATO gjatë mandatit të parë të Trumpit, ka theksuar në një intervistë për “La Stampa” lidhjen e ngushtë mes Witkoff dhe Dmitriev.

Ai e ka këshilluar Bashkimin Evropian të ndërtojë një kanal dialogu të tijin me Rusinë - “jo domosdoshmërisht për negociata”, siç saktëson - sepse sipas tij “kur ulen të diskutojnë, SHBA-ja dhe Moska nuk mendojnë për interesat evropiane”./Pamfleti nga “La Stampa”

tuneli nën bering projekti ambicioz i putinit shba-rusi

Lini një Përgjigje